Jakup Krasniqi 70-vjeç, mesazhi i ish-deputetit: Në luftën për liri ishe zëri i UÇK, sot krenaria e saj

schedule18:53 - 2 Janar, 2021

schedule 18:53 - 2 Janar, 2021

Jakup Krasniqi dje mbushi 70 vjeç. Por nuk e festoi dot ditën e lindjes siç ai dhe familja e gjithë të dashurit e tij do të donin. Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i parlamentit të Kosovës ndodhet në Hagë së bashku me ish-Presidentin Thaçi, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, të akuzuar për krime lufte.

Ish-deputeti i LSI-së, Luan Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook një mesazh për Jakup Krasniqin, ku ndër të tjera shkruan se Jakup Krasniqi në luftën për liri në tokën e Kosovës ishte zëri i UÇK-së, ndërsa sot në luftën për drejtësi, është krenaria e saj.

“Në 70 – vjetorin e lindjes:

Jakup Krasniqi – në luftë

zëri i UÇK-së, sot krenaria e saj.

Jakup Krasniqi iu dha Kosovës me ç’ka mundi.

Iu dha me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e UÇK-së.

Iu dha me shpirt e me zemër, iu dha me dijen dhe qenien e vet.

Por, iu dha edhe me gatishmërinë e patriotit për të dhënë edhe jetën, si të gjithë ata që zgjodhën luftën për të çliruar Kosovën prej pushtimit dhe genocidit serb.

Jakup Krasniqi kur me bindje u përcaktua për luftën çlirimtare, nuk e dinte në do të shpëtonte i gjallë apo do të ishte njëri nga dëshmorët e atdheut.

Sepse ata që rrëmbejnë armët e luftës për liri, i marrin parasysh të gjitha sakrificat e mundshme, edhe atë më sublimen, flijimin.

Ndaj, nuk bëjnë llogari jetën e tyre.

Por ama, Jakup Krasniqi e dinte mirë se fundi i luftës do të ishte liria e Kosovës dhe se Kosova do të bëhej shtet i pavarur prej luftës çlirimtare.

E bash për këte ia vlente e gjithmonë ia vlen çdo sakrificë.

Jakup Krasniqi dje mbushi 70 vjet. Por nuk e festoi dot ditën e lindjes siç ai dhe familja e gjithë të dashurit e tij do të donin.

Sepse ai ka shkuar prapë në luftë, anipse kësaj here në luftën që nuk e zgjodhi vetë.

Ka shkuar në luftë, për të mbrojtur luftën dhe gjakun e shokëve që ia mori lufta.

Ka shkuar në luftë për UÇK-në, për emrin dhe nderin e saj.

Sepse ai është Jakup Krasniqi e zakoni i tokës, i gjuhës, i gjakut dhe i fisit nuk e njeh e nuk e pranon tutën.

Jakup Krasniqi në luftën për liri në tokën e Kosovës ishte zëri i UÇK-së, ndërsa sot në luftën për drejtësi, është krenaria e saj.

Ndaj ai prapë iu dha Kosovës, sepse Kosova ende ka nevojë për Jakup Krasniqin, zërin dhe krenarinë e UÇK-së” shkruan Luan Rama./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!