Jahjaga: Pandemia e COVID-19 rriti dhunën ndaj grave

schedule23:18 - 10 Dhjetor, 2021

schedule 23:18 - 10 Dhjetor, 2021

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të premten se, situata e krijuar nga pandemia e COVID-19, shtoi shkallën e dhunës ndaj grave dhe zvogëloi qasjen e viktimave në drejtësi.

Ajo i bëri këto komente gjatë një diskutimi të organizuar nga Grupi i Grave për Politikë të Jashtme, me seli në Shtetet e Bashkuara, mbi dhunën ndaj grave.

Zonja Jahjaga tha se “problemi më i madh me pandeminë është se izolimi “detyroi viktimat e dhunës të qëndrojnë të mbyllura brenda me dhunuesit e tyre pa asnjë mundësi për ta shmangur dhunën”.

Ajo ju referua vlerësimeve se brenda një viti që nga marsi i vitit 2020 kur shpërtheu pandemia, “mbi 240 milionë gra dhe vajza gjithandej botës të moshës nga 15 deri në 49 vjeçare kanë përjetuar dhunë seksuale dhe, apo fizike nga partnerët e tyre”.

Ajo tha se askush nuk kishte plane se si të veprohet në situata të tilla, ndërsa nënvizoi faktin se gjatë periudhave të izolimit për shkak të pandemisë “kemi parë një bllokim total në sistemin gjyqësor”, gjë që ka cenuar qasjen në drejtësi të viktimave të dhunës.

Ish presidentja Jahjaga theksoi se si Kosova ashtu edhe vendet e tjera duhet ta përfshijnë luftën kundër dhunës ndaj grave në strategjitë për reagimin ndaj sfidave që paraqesin situatat si ajo me pandeminë e COVID-19, me plane konkrete veprimi për parandalimin e dhunës dhe përballjen me pasojat e saj.

Sipas autoriteteve në Kosovë nga fillimi i këtij viti deri në muajin shtator, janë raportuar mbi 1 mijë e 400 raste të dhunës në familje./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!