Jacques Attali: Do kemi përshkallëzim të konfliktit SHBA-Kinë, Shqipëria gati për integrimin në BE

schedule18:11 - 22 Maj, 2020

schedule 18:11 - 22 Maj, 2020

Jacques Attali, ish-këshilltar i presidentit francez, i cilësuar njëherazi si një nga 100 mendjet më të ndritura në botën deklaroi në intervistë përballë gazetarit Endri Xhafo se kriza e koronavirusit ka sjellë një tension shumë të fortë mes Kinës dhe SHBA.

Ai tha se ky konflikt do të përshkallëzohet, duke vënë në pah pikat e dobëta të dy vendeve.

“Ka një tension shumë të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që është një tension që ekziston prej një kohe të gjatë, por ka edhe tensione të tjera, tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka të tjerë në botë. Por ky është i madh.

Dhe do të përshkallëzohet. Është në kuadër të një rivaliteti superfuqish mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Për sa më takon besoj se Kina nuk do t’ia dalë të bëhet superfuqia botërore e vetme, sepse ka shumë dobësi.

Besoj se edhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shumë dobësi, pra ndodhemi në një botë ku nuk ka asnjë superfuqi, as Shtetet e Bashkuara, as Kina. Por kjo mund të rrëshkasë në një konflikt që mund të shpërthejë në çdo moment, pas një incidenti ose në detin e Kinës, ose mes Indisë dhe Kinës, ose diku tjetër”, deklaroi Attali.

Attali u ndal edhe tek integrimi i Shqipërisë në BE, si një mbështetës i këtij procesi, duke theksuar se shpreson që ai të përfundojë sa më shpejt, sepse Shqipëria tashmë është gati.

Pse Franca u duk se ishte më hezituese në raport me zgjerimin, pavarëisht dekleratave zyrtare dhe vetëm së fundi një pozicioni më të favorshëm në mars? A ka një konkurrencë të heshtur mes Presidentit Macron dhe kancelares Merkel për këtë çështje ?

Nuk dua të komentoj qëndrimet e shkuara. Për sa më takon unë kam qenë gjithmonë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin europian, e kam thënë dhe e diskutoj shpesh këtë me mikun tim kryeministrin Edi Rama, që e admiroj dhe përshëndes aksionin e tij kurajoz dhe efikas.

Sa i takon të ardhmes besoj se kjo çështje është mbyllur, të gjithë urojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të fillojë dhe unë shpresoj që do të ecë mirë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Mendoni ju që Shqipëria është gati ? Në 2015 keni thënë që Shqipëria nuk është gati, në një intervistë gjatë vizitës tuaj në Shqipëri .  

Jacques Attali : Në cilin vit zotëri ?

Në 2015-ën.

Jacques Attali : E shihni pra që kanë kaluar 5 vjet.

Pra është gati ?

Jacques Attali : Eshtë gati për të filluar procesin e negociatave, po. Për këtë asnjë dyshim!/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!