Përgjime të reja janë zbardhur nga dosja e SPAK për ish-zv.ministren e Brendshme Rovena Voda dhe dy shtetase të tjera, që u arrestuan për shkak se akuzohen për korrupsion.
Voda akuzohet se ka pranuar një shumë parash prej 1 mijë eurosh dhe disa dhurata nga Majlinda Hasani dhe Florida Beu, për një vend pune të Florida Beut.
Në dosjen e siguruar nga gazetari Ermal Vija për redaksinë e Abcnews.al, thuhet se më 13 shkurt 2020, avokatja Majlinda Hasani është takuar me Florida Beun dhe zv.ministren e Rovena Voda. Florida Beu i ka kërkuar Vodës t’i gjente një vend pune dhe menjëherë kjo e fundit ka telefonuar një person tjetër.
“Shefe nuk e bëj dot, por do ta rregulloj si specialiste”, ka thënë ajo nga ana tjetër e celularit.
Pasi dalin nga takimi me Vodën në shkurt 2020, Florida Beu i drejtohet avokates Majlinda Hasani duke i thënë se kishte frikë nëse pagesa për Rovena Vodën ishte e kënaqshme.
“Më ngeli mendja, mos duhet të jepnim më shumë, të na vendoste në një vend të hajrit. ” Avokatja ia kthen duke i thënë se tashmë Rovena Voda i përgjigje menjëherë, jo si më parë që vononte 2-3 ditë, pasi “Leku e hedh ujin përpjetë”.
Florida: Më ngeli në mendje mos donte më shumë kjo.
Majlinda: Moj ti je budallaqe edhe aq e ka shumë, rri urtë se po i hyjë njëherë ta hap atë kokën ashtu si di vetë.
Florinda: Kam halla se mos donte më shumë që të paktën të na vej në një vend tamam.
Majlinda: Jo thash unë tani e do iki prapë t’ja them dëgjo këtu se 500 mijë lekë do marri do nja dy vjet ti laj këto që do ju japin juve, jo vjen PD. PS e heq gocën i them, mos më çani… rri ti se flas vetë unë e hap gojën mirë.
Florida: Se di sa jepet në këto raste.
Majlinda: Mirë me e ke edhe dy do i japësh asaj…
Florida: Po pra tamam.
Majlinda: Ti hiç.
Florida: Kam frikë mos ka prit ndonjë dyshe. e.l/abcnews.al/