Fabio Capello ka drejtuar Real Madrid në dy periudha të ndryshme. 73-vjeçari ishte trajneri i “Los Blancos” në sezonin 1996-1997 dhe 2006-2007, duke ia dalë të fitonte titullin kampion në të dy rastet.
Italiani ka dhënë një intervistë për AS, aty ku flet rreth situatës aktuale të futbollit spanjoll, problemin e madh të Real Madrid dhe e mbyll me një krahasim rreth lojtarëve të rinj si Rodrygo dhe Vinicius Junior.
“I ndjek gjithmonë skuadrat spanjolle. Ishte një surprizë fakti që Atletico Madrid eliminoi Liverpoolin. Simeone i përgatiti shumë mirë ndeshjet, por mos të harrojmë faktin që ka një portier të madh si Oblak. Real Madrid? Ka nevojë për një lider në fushën e blertë, çdo skuadër duhet të ketë një pikë referimi.
Në Realin tim ishin Raul, Hierro, Redondo, të gjithë njerëz dhe lojtarë që donin të fitonin. Fanella e Realit peshon shumë, njësoj si ajo e Barcelonës. Herën e dytë që u ktheva në Madrid presidenti kishte blerë Marcelo, Gago dhe Higuain.
Më pyeste se pse nuk i aktivizoja dhe i përgjigjesha që ishin fëmijë. E njëjta gjë si tani. Rodrygo, Brahim, Vinicius dhe Odegaard janë e ardhmja, por duhet të rriten. Duhet të blesh lojtarë të rinj, por duhet t’i integrosh ngadalë”, deklaron ish-trajneri i famshëm italian. /abcnews.al