Në Shqipëri rriten ullinj që kanë bërë hije shumë shekuj përpara Krishtit. Pemë mijëravjeçare, të heshtura por dëshmitare të historisë, që sot konsiderohen si “baobabët” e vendit tonë. Sipas studiuesit Prof. Hairi Ismaili, në zonat përreth Tiranës dhe Vlorës ndodhen “vatra” ullinjsh 2000–3000 vjeçarë, disa prej të cilëve vazhdojnë të prodhojnë ullinj dhe vaj edhe sot.
Ulliri në Shqipëri është po aq i lashtë sa në vendet e tjera të Mesdheut. Fjala “ulli” rrjedh nga “ullasteri”, forma e egër e bimës, ndërsa kultivimi i ullirit Olea Europaea L. Sativa njihet në vendin tonë prej rreth 5000 vjetësh. Arkeologjia shqiptare ka identifikuar se oleastrat kanë ekzistuar që 12 mijë vjet para Krishtit.
Ndër ullinjtë më të famshëm është “Ulliri i Bardhë i Tufinës”, i vlerësuar me moshë 2800–3000 vjeçare, me perimetër trungu rreth 30 metra dhe lartësi kurore 12 metra, që prodhon vaj me cilësi shumë të lartë. Në malin e Dajtit ndodhet një tjetër ulli gjigant me perimetër 27 metra, ndërsa ulliri shumëkëmbësh, po ashtu 3000-vjeçar, arrin një perimetër prej 35 metrash. Por më i vjetri ndodhet në një fshat të “humbur” të Tiranës me 20 shtëpi dhe vlerësohet të jetë mbi 3800 vjeçar.
Në Gërdec gjenden dy ullinj të tjerë që datojnë rreth 3 mijë vjet, ndërsa në Vlorë, ulliri Pulazeqin, rreth 2000-vjeçar, vazhdon të japë prodhim çdo vit. Ulliri i Zi i Tujanit vlerësohet mbi 2500 vjet i lashtë, ndërsa në Tiranë ka dhjetëra ullinj që datojnë mbi 1500 vjet.
Fakte intriguese vijnë edhe nga arkeologjia: në Vlorë dhe Mallakastër janë zbuluar mullinj vaji 2400 dhe 2200 vjeçarë, si dhe mjete të lashta për vjeljen e ullinjve. Dëshmi që tregojnë se ulliri nuk është thjesht pemë, por një pasuri historike, kulturore dhe ekonomike që lidh Shqipërinë me rrënjët e saj më të thella mesdhetare. / abcnews.al /


