Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al
Në ujërat e Detit të Kuq, do të instalohen linjat e internetit me shpejtësi të lartë që do të lidhin për herë të parë Izraelin me Arabinë Saudite. Kjo është pjesë e dy linjave më të gjata që kalojnë nga Franca në Indi, dhe pritet të përmirësojë shpejtësinë dhe të ulë koston e internetit midis Europës dhe Azisë.
Linjat e internetit gjithashtu do të krijojnë një aleancë të re rajonale midis Izraelit dhe vendeve të Gjirit që dikur ishin armike. Linja e re do të ndërtohet nga Google dhe Telecom Italia, një firmë italiane telekomunikacioni, dhe do të përfundojë në vitin 2024, raporton abcnews.al
Të gjitha linjat e tjera të internetit midis Europës dhe Azisë kalojnë përmes Egjiptit përgjatë rrugës të kanalit të Suezit. Sipas qeverisë së Egjiptit më shumë se 90% e të dhënave ndërmjet këtyre rajoneve kalojnë nëpër territorin e saj.
Megjithatë, për Izraelin, linja e re, e quajtur Blue-Raman përfaqëson një marrëdhënie diplomatike më të ngushtë në rajon.
“Për më shumë se shtatë dekada, të gjitha rrugët tregtare dhe rrjetet e telekomunikacionit të Lindjes së Mesme kanë anashkaluar Izraelin”, sipas një zyrtari izraelit. “Për herë të parë që nga krijimi i Izraelit, ne po bëhemi pjesë e një infrastrukture rajonale.”
Izraeli dhe Arabia Saudite nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe zyrtarisht kjo rrugë përbëhet nga dy linja të veçanta, njëra që përfundon në portin jordanez Akaba, tjetra fillon në qytetin izraelit Eilat.
Në fakt do të jetë një linjë e vetme, e ndërtuar me mbështetjen e të dyja qeverive.
Muhamed bin Salman, princi i kurorës, e ka shtyrë mbretërinë drejt lidhjeve më të ngushta me Izraelin. Por mbreti Salman bin Abdulaziz tha se nuk mund të ketë marrëdhënie normale me Izraelin derisa palestinezët të marrin shtetësinë. Megjithatë, sauditët u kanë dhënë bekimin fqinjëve të tyre në Gjirin Persik për të përmirësuar marrëdhëniet e tyre me Izraelin.
Më 14 shkurt Naftali Bennett u bë kryeministri i parë izraelit që vizitoi Bahreinin. Bahreini ishte vendi i dytë pas Emirateve të Bashkuara Arabe që vendosi lidhje me Izraelin sipas të ashtuquajturës “Marrëveshje të Abrahamit” në vitin 2020.
Të gjitha palët shpresonin se kjo do të përmirësonte biznesin midis palëve. Megjithatë progresi ka qenë i ngadaltë, raporton abcnews.al
“Emiratet janë mësuar të bëjnë investime të mëdha,” tha një nga biznesmenët izraelitë.
Projektet e infrastrukturës mund të kenë më shumë sukses. Vitin e kaluar Izraeli dhe Jordania ranë dakord të ndërtonin një fabrikë destilimi të financuar nga Emiratet në brigjet e Mesdheut. Ai do të furnizohet me energji diellore nga Jordania.
Ndërtimi i kësaj linje vjen teksa Izraeli po përpiqet të përmirësojë infrastrukturën e linjave të internetit për të siguruar akses në vendet më të varfra të vendit. Shumica janë aktualisht të përqendruara në qytete të tilla si Tel Aviv, i cili u rendit si qyteti më i shtrenjtë në botë nga Economist Intelligence Unit.
Yoaz Hendel, ministri i komunikimeve, ka nxitur reforma për të siguar akses të internetit në qytetet më të vogla. Hendel, një historian e cilëson linjën e re të internetit në Lindjen e Mesme si “versionin e shekullit të 21-të të Rrugës së Mëndafshit” që lidh vendet që më tani ishin armiq me njeri-tjetrin.
/abcnews.al