Izraeli pranë krijimit të një qeverie uniteti pas sulmit të Hamasit

schedule08:04 - 11 Tetor, 2023

schedule 08:04 - 11 Tetor, 2023

Koalicioni i kryeministrit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord të formojë një qeveri uniteti me pjesëmarrjen e opozitës pas sulmit më vdekjeprurës nga militantët palestinezë në historinë izraelite, tha të martën partia e tij Likud në pushtet.

Udhëheqësit kryesorë të opozitës, ish-kryeministri Yair Lapid dhe ish-ministri i Mbrojtjes Benny Gantz, kanë rënë dakord në parim për të marrë pjesë në një qeveri uniteti pas sulmit të befasishëm të së shtunës nga Hamasi.

Një zëdhënëse e partisë së Unitetit Kombëtar të zotit Gantz tha se ndjehej optimiste se partia do të merrte pjesë në një qeveri të emergjencës, por nuk pranoi të jepte hollësi.

Një takim i planifikuar mes zotit Gantz dhe kryeministrit Netanyahu i planifikuar për të martën, u shty për të mërkurën.

Marrëveshja mes partive politike që normalisht janë kundërshtare të forta politike, nënvizon se sa serioze është kriza pas vrasjes nga persona të armatosur të Hamasit të më shumë se 1000 izraelitëve dhe kapjen e më shumë se 100 të tjerëve.

“Një qeveri rgjente uniteti tani!” u shpreh në mediat sociale Ministri i Financave Bezalel Smotrich që përfaqëson një parti të djathtë.

Përmasat e sulmit të paprecedentë të Hamasit kanë ndikuar në tejkalimin e ndasive të thella mbi planet e qeverisë të ekstremit më të djathtë në historinë izraelite për të miratuar legjislacion që do t’i hiqte gjykatës më të lartë një pjesë të madhe të kompetencave.

Izraeli reagoi pas sulmit me një bombardim masiv të Gazës dhe ka vendosur mijëra trupa rreth enklavës së ngjeshur bregdetare mes pritshmërisë në rritje se do të ndërmarrë një ofensivë tokësore për të shkatërruar Hamasin.

Në një deklaratë të shtunën, vetëm disa orë pas sulmit, udhëheqësi i partisë opozitare Lapid tha se e kishte informuar kryeministrin se ishte i gatshëm të linte mënjanë dallimet politike për të krijuar një qeveri uniteti./VOA

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!