Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz deklaroi se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet nga jugu i Libani, edhe nëse një veprim i tillë kërkohet nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas tij, prania ushtarake në zonë do të vazhdojë për arsye sigurie dhe për të parandaluar kërcënimet ndaj forcave izraelite.
Duke folur për situatën në jug të Libanit, Katz tha se rreth 200 mijë persona të zhvendosur nuk do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre në të ardhmen e afërt, për shkak të rrethanave të sigurisë dhe operacioneve ushtarake që po zhvillohen në rajon.
Sipas raportimit të “The Times of Israel”, ministri izraelit argumentoi se përvoja nga të ashtuquajturat “zona sigurie” në të kaluarën ka treguar se prania e popullsisë civile në afërsi të forcave ushtarake ka sjellë sulme ndaj ushtarëve, përfshirë vendosjen e mjeteve shpërthyese të improvizuara dhe prita të armatosura.
“Ajo që ndodhi në të kaluarën në zonat e sigurta, ku kishte edhe popullsi civile, ishin bombat në anë të rrugës dhe sulmet ndaj ushtarëve. Për këtë arsye ne nuk do ta lejojmë një situatë të tillë”, deklaroi Katz, duke shtuar se Izraeli nuk ka ndërmend të tërhiqet nga pozicionet e tij në jug të Libanit.
/abcnews.al/



