Një “tërmet” diplomatik ka përfshirë Afrikën këtë të premte, pasi Izraeli u bë vendi i parë në botë që njohu zyrtarisht Somalilandin si shtet të pavarur dhe sovran.
Ky vendim ka ngjallur zemërim të madh në Somali, e cila e konsideron këtë rajon si pjesë të saj.
Somalilandi deklaroi pavarësinë nga Somalia në vitin 1991, por për dekada me radhë nuk ka arritur të marrë njohje ndërkombëtare.
Vendimi i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, u prit me festime në rrugët e kryeqytetit të Somalilandin, Hargeisa, ku qytetarët dolën me flamuj në duar.
Reagimet ndërkombëtare: Pse kundërshtohet njohja?
Lëvizja e Izraelit është dënuar nga shumë faktorë rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Somalia e quajti vendimin një “sulm të qëllimshëm” mbi sovranitetin e saj dhe një kërcënim për paqen në rajon.
Unioni Afrikan (AU) paralajmëroi se kjo vendos një “precedent të rrezikshëm” për kufijtë në të gjithë kontinentin afrikan.
Turqia dhe Egjipti, aleatë të ngushtë të Somalisë, e cilësuan lëvizjen si ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të një shteti tjetër.
Autoriteti Palestinez, akuzoi Izraelin se kjo njohje mund të lidhet me plane për zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga Gaza drejt këtij rajoni.
Pozicioni i SHBA-ve dhe Donald Trump
I pyetur nga mediat nëse SHBA-të do të ndiqnin shembullin e Izraelit, Donald Trump u përgjigj shkurt: “Jo”. Ai shtoi me ironi: “A e di njeri me të vërtetë se çfarë është Somalilandi?”.
Ekspertët besojnë se pas këtij vendimi qëndrojnë interesat strategjike.
Izraeli ka nevojë për aleatë në këtë rajon për të luftuar kërcënimet nga rebelët Houthi në Jemen.
Somalilandi ka një pozicion kyç në Gjirin e Adenit dhe zotëron ushtrinë, monedhën dhe pasaportat e veta, pavarësisht mungesës së njohjes deri më sot.
Çfarë pritet të ndodhë?
Kjo njohje mund të nxjerrë Somalilandin nga izolimi diplomatik dhe t’i hapë rrugën investimeve të huaja, por nga ana tjetër rrezikon të nxisë një konflikt të ri në Afrikë.
Somalia ka deklaruar se do të mbrojë integritetin e saj territorial me çdo kusht.

