Reuters raporton se një zëdhënës i autoritetit të kalimit kufitar të Gazës i ka thënë agjencisë së lajmeve se kalimi Rafah ishte i mbyllur për shkak të pranisë së tankeve izraelite. Përveç kësaj, tre burime humanitare i thanë gjithashtu Reuters se fluksi i ndihmave përmes vendkalimit tani është ndalur.
Në operacion, sipas IDF, u vranë 20 militantë të Hamasit, ndërsa u gjetën tre tunele.
Grupi militant palestinez Hamas tha të hënën vonë se kishte rënë dakord për një propozim armëpushimi nga ndërmjetësit shtatë muaj pas luftës që ka shtyrë më shumë se një milion palestinezë në jug të enklavës.
Izraeli deklaroi kushtet e marrëveshjes nuk i përmbushnin kërkesat e tij dhe nisi një operacion ushtarak në Rafah. Tanket dhe avionët izraelitë goditën disa zona dhe shtëpi në Rafah gjatë natës, duke vrarë 20 palestinezë dhe duke plagosur disa të tjerë në sulmet që goditën të paktën katër shtëpi.
Izraeli ka kërcënuar se do të nisë një inkursion të madh në Rafah, për të cilin thotë se strehon mijëra luftëtarë të Hamasit dhe potencialisht dhjetëra pengje./abcnews.al