Me institucionin e ri qeveria izraelite synon të nxisë “largimin vullnetar” të palestinezëve nga Rripi i Gazës në vendet e treta.
Institucioni i ri do të jetë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, konfirmoi një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Detyra e tij është të “përgatisë largimin vullnetar të banorëve të Rripit të Gazës për në vende të treta në mënyrë të sigurt dhe të kontrolluar”. Kabineti i Sigurisë e miratoi propozimin përkatës të Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz.
Ata që dëshirojnë të largohen nga zona e rrethuar bregdetare palestineze në brigjet e Detit Mesdhe duhet t’u mundësohet largimi “në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare si dhe në përputhje me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump”, tha ministria në një deklaratë. Se cilat janë vende të treta ku mund të shkojnë personat që duan të largohen nuk përmendet.
“Shkelje flagrante e së drejtës civile ndërkombëtare”
Kritika të ashpra ndaj këtij plani pati nga shteti fqinj i Izraelit, Jordania. Ministria e Jashtme në Aman tha se kemi të bëjmë me plane për dëbim të detyruar. Së bashku me synimin për t’i kthyer 13 zona të banuara në vendbanimet ekzistuese izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar në vendbanime të pavarura, po u hapet rruga “ngulimeve të tjera për kolonë”, thuhet në deklartën e Ministrisë së Jashtme të Jordanisë. Të gjitha planet janë një shkelje e hapur së drejtës civile ndërkombëtar.