Izraeli ka njoftuar se do të hapë pikën kufitare të Rafah në ditët në vijim, por jo për hyrjen e ndihmave në Gaza. Kalimi kufitar do të jetë i hapur për njerëzit, në përputhje edhe më marrëveshjen e armëpushimit të arritur në muajin tetor me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Hapja e kësaj pike kufitare do t’u mundësojë palestinezëve, kryesisht atyre që kanë nevojë për ndihmë mjekësore që të dalin nga enklava për të kaluar në Egjipt ose drejt vendeve të tjera për të siguruar trajtimin që u duhet.
Associated Press raporton se një zyrtar izraelit, i cili foli në mënyrë anonime, tha se të gjithë palestinezët do të jenë në gjendje të dalin përmes Rafahut për sa kohë që Egjipti I pranon ata.
Kombet e Bashkuara dhe agjenci të tjera të ndihmës humanitare e kishin kërkuar prej kohësh hapjen e Rafah, por Izraeli e vonoi një hap të tillë duke thënë se Hamas nuk kishte përmbushur detyrimet e veta të armëpushimit.
Ushtria izraelite mori kontrollin e anës palestineze të pikës kufitare në maj 2024, duke pretenduar se ajo po përdorej për qëllime terroriste, me dyshime për trafik armësh.
Rafah u hap shkurtimisht gjatë armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit që hyri në fuqi më 19 janar, fillimisht duke lejuar kalimin e njerëzve të autorizuar për t’u larguar nga Gaza, dhe më vonë të kamionëve.
Kalimi i Rafah është një pikë hyrëse kyçe për punonjësit humanitarë dhe për kamionët që transportojnë ndihma, ushqim dhe karburant, gjë që është thelbësore për jetën e përditshme në një territor të privuar nga energjia elektrike.
Kalimi ka qenë prej kohësh pika kryesore e daljes për palestinezët nga Gaza të cilët ishin të autorizuar të largoheshin nga rripi i ngushtë i tokës, i cili ka qenë nën bllokadë izraelite që nga viti 2007.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 16,500 të sëmurë dhe të plagosur duhet të largohen nga Gaza për kujdes mjekësor.

