Qeveria e Izraelit po punon për një plan ndihme financiare për të prekurit nga sulmet e Hamasit, sasia e të cilit do të jetë “më e madhe” se ajo për mbështetjen e familjeve dhe bizneseve gjatë pandemisë Covid-19, njoftoi këtë të enjte ministri i Financave Bezalel Smotrich.
Duke folur për gazetarët, Smotrich tha se ekonomia e Izraelit është aq e fortë sa lejon ndarjen e fondeve si për të mbuluar nevojat ushtarake ashtu edhe për të lehtësuar të prekurit nga sulmet terroriste të 7 tetorit.
“Ne kemi para dhe do t’i ndajmë me bujari për çdo gjë që nevojitet,” tha Smotrich, duke shpjeguar se në ditët në vijim parlamenti do të miratojë rritjen e kuadrit fiskal, duke ofruar “fleksibilitetin maksimal të mundshëm” për stafin financiar të qeverisë.