Gjykata e Lartë e Izraelit ka rikthyer në garën zgjedhore të 27 tetorit dy blloqet kryesore politike që përfaqësojnë qytetarët arabë të Izraelit, duke rrëzuar vendimin që i kishte përjashtuar nga zgjedhjet. Vendimi është i rëndësishëm për kryeministrin Benjamin Netanyahu, sepse mandatet që mund të fitojnë këto parti mund të ndikojnë drejtpërdrejt nëse ai do të arrijë ose jo të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar sërish qeverinë.
Parlamenti izraelit ka 120 deputetë dhe quhet Knesset. Për të krijuar qeverinë Netanjahu ka nevojë për të paktën 61 deputetë, por duke qenë se as partitë e Netanyahut dhe aleatëve të tij dhe as kundërshtarët e tij nuk pritet ta arrijnë këtë shifër aq lehtë, edhe mandatet e partive më të vogla mund të bëhen vendimtare për formimin e qeverisë së ardhshme.
Çfarë kishte ndodhur me partitë arabe?
Arabët përbëjnë rreth 20% të popullsisë së Izraelit, që numëron afro 10 milionë banorë.. Ata kanë të drejtën e votës dhe prej dekadash përfaqësohen edhe nga parti politike në parlament.
Dy prej blloqeve kryesore që kërkonin të merrnin pjesë në zgjedhjet e 27 tetorit janë Lista e Përbashkët dhe Lista e Bashkuar Arabe, e njohur si Ra’am.
Më 23 shtator, Komiteti Qendror i Zgjedhjeve i Izraelit votoi për t’i përjashtuar të dyja nga zgjedhjet. Kërkesat për përjashtimin e tyre morën mbështetje edhe nga Likud, partia e Netanyahut, si dhe nga forca të tjera të së djathtës izraelite. Mbështetësit e ndalimit argumentuan se partitë nuk plotësonin kushtet ligjore për të kandiduar, mes pretendimeve se kundërshtonin karakterin e Izraelit si shtet hebre dhe demokratik ose mbështesnin luftën e armatosur kundër tij.
Partitë arabe e kundërshtuan vendimin dhe çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë.
Sipas sondazheve të publikuara para zgjedhjeve, partitë arabe pritet të sigurojnë mes 12 dhe 14 mandate në parlamentin izraelit me 120 vende.
Çfarë vendosi Gjykata?
Gjykata e Lartë rrëzoi përjashtimin dhe vendosi që të dyja listat arabe mund të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas gjykatës, provat e paraqitura kundër tyre nuk ishin të mjaftueshme për të përmbushur standardin e lartë ligjor që kërkohet për t’i hequr një partie të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje.
Kjo do të thotë se më 27 tetor votuesit arabë do të mund të votojnë edhe për këto dy lista dhe ato, nëse kalojnë pragun elektoral, do të mund të dërgojnë deputetë në parlament.
Çfarë do të thotë ky vendim për Netanyahun?
Netanyahu nuk ka nevojë thjesht të dalë i pari në zgjedhje. Ai duhet të jetë në gjendje të mbledhë pas vetes të paktën 61 nga 120 deputetët për të formuar një qeveri.
Sondazhet e publikuara para zgjedhjeve tregojnë një garë ku as blloku i Netanyahut dhe as partitë që e kundërshtojnë nuk e kanë të garantuar këtë shumicë. Partitë arabe mund të marrin së bashku një numër mandatesh që, në një parlament të fragmentuar, mund të ndikojë te mundësitë për krijimin e një koalicioni dhe mund t’ia bëjë më të vështirë bllokut të Netanyahut sigurimin e 61 mandateve.
Ka edhe një precedent të rëndësishëm. Në vitin 2021, Ra’am bëri një lëvizje të paprecedentë duke iu bashkuar koalicionit të Naftali Bennett dhe Yair Lapid. Ai koalicion arriti të siguronte shumicën dhe i dha fund qëndrimit 12-vjeçar të pandërprerë të Netanyahut në postin e kryeministrit.
Zgjedhjet parlamentare në Izrael mbahen më 27 tetor.


