Izmir Smajlaj, rekord të ri kombëtar në kërcim së gjati

schedule17:45 - 23 Qershor, 2019

schedule 17:45 - 23 Qershor, 2019

Atleti shqiptar Izmir Smajlaj vendos rekord të ri kombëtar në kërcim së gjati. Shkodrani u shpall kampion i Shqipërisë me rezultatin 8 metra e 11 centimetra.

Synon ta përsërisë këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Izmir Smajlaj dëshiron të jetë sërish kampion i Europës, siç u bë dy vjet më parë në Beograd, por ndërkohë nuk rresht së arrituri suksese të tjera.

Jo vetëm u shpall sërish kampion kombëtar në kërcim së gjati, në garën e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, por edhe sepse vendosi një rekord të ri. Hedhja e tij, që e postoi vetë kampioni në rrjetet sociale, ishte 8 metra e 11 centimetra, plot 8 centimetra më shumë sesa rekordi i mëparshëm që mbahej po nga ai vetë.

Atleti shkodran mund të thuhet se krijoi një normalitet, pasi përpara këtij rekordi, kërcimin më të mirë e kishte në salla të mbyllura, dhe pikërisht në finalen e Kampionatit Europian të vitit 2017 në Serbi, ku fitoi medaljen e artë me rezultatin 8 metra e 8 centimetra.

Sportisti më i mirë i Shqipërisë për meshkuj falenderoi publikisht në Facebook, familjen, trajnerin Gjergj Ruli njëkohësisht president i Federatës së Atletikës, miqtë dhe tifozët.

Në moshën 26-vjeçare dhe me shtatlartësinë e admirueshme prej 1 metër e 96 centimetrash, Smajlaj besohet se mund ta përmirësojë disa herë në të ardhmen rekordin e tij, për t’iu afruar rekordit botëror prej 8 metrash e 95 centimetrash, dhe rekordit europian prej 8 metrash e 86 centimetrash.

Tashmë, Smajlaj është pjesë e klubit sportiv Tirana, i financuar nga bashkia e kryeqytetit, duke qenë në kushte më të mira se në të kaluarën./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!