Izair Emini me COVID-19, Ballkani i qartë: Të testohen të gjithë futbollistët

schedule13:40 - 21 Maj, 2020

schedule 13:40 - 21 Maj, 2020

Izair Emini, sulmuesi kampion me Kukësin në Superiore, ka dalë pozitiv me COVID-19. Ai pritet të zhvillojë edhe një test tjetër, pasi është habitur se si i ka ndodhur diçka e tillë. Gjithsesi për momentin sulmuesi i Dritës është i izoluar dhe nuk po stërvitet me skuadrën e tij.

Ajo që i ka ndodhur Eminit ka bërë që klubi i Ballkanit të reagojë dhe të kërkojë nga Federata e Futbollit në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë testimin e të gjithë aktorëve të futbollit, pasi ndryshe ata nuk mbajnë përgjegjësi. Gjithashtu kërkohet që protokolli të bëhet në varësi të kushteve të klubeve.

REAGIMI I BALLKANIT – Lidhur me zhvillimet e fundit në futbollin kosovar, siç jeni në dijeni, MSH dhe FFK e kanë mundësuar vazhdimin e Superligës dhe ende pa filluar dy seanca stërvitore ka dal rezultati pozitiv me Covid-19 për futbollistin Izair Emini, lojtar i FC Drita.

Fillimisht, po e shprehim shqetësimin tonë për shëndetin e futbollistit Emini, duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë. Lidhur me këtë rast, edhe njëherë u bëjmë thirrje organeve kompetente – MSH dhe FFK – që urgjentisht të bëjnë testimin e të gjithë futbollistëve dhe stafit të përfshirë ne procesin stërvitor.

Gjithashtu kërkojmë që çdo herë para ndeshjeve zyrtare të bëhen ritestime, për të evituar ndonjë fatkeqësi më të madhe, pasi pastaj do të jetë vonë dhe nuk pranojmë asesi të ndërpritet kampionati. FC Ballkani gjithmonë ka qenë i interesuar që garat të rifillojnë, pasi kemi planin afatgjatë për të krijuar klub model dhe shembull në rajon, e jo plan për 2-3 vite.

Të gjithë kanë menduar se interesi i klubit tonë ka qenë të ndërpritej kampionat dhe të jemi fitimtar në këtë kohë krize, por ne i kemi zhvilluar 22 lojë të barabarta me të gjithë Superligën dhe prej ditës së parë kemi qenë pothuajse 90% në vend të parë.

Krejt zhurma çka është bërë prej klubit tonë ka qenë për t’u marrë seriozisht ndjenjat e futbollistëve dhe investitorëve, e jo me vendos njerëz që janë nën presione dhe njerëz jo profesionist, të cilët futbollin e kanë shikuar vetëm në TV.

Tani përgjegjësia do të jetë e tyre dhe ne si klub, çka do që do të ndodhë, nuk do të marrim as edhe një përgjegjësi të vetme. Kërkojmë nga organet përgjegjëse të marrin përgjegjësi, e jo vetëm privilegje, duke i hartuar dhe aprovuar protokollet që mund të realizohen në kuadër të kushteve tona, e jo të marrin shembullin e shteteve Europiane, kur dihen kushtet e Kosovës dhe Europës”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!