Iute: E vërteta e mikrofinancës, ja roli i institucioneve mikrofinanciare në Shqipëri

schedule16:23 - 4 Qershor, 2024

schedule 16:23 - 4 Qershor, 2024

TIRANË- Muajt e fundit, një mori ngjarjesh në industrinë financiare kanë hedhur dritë mbi aktivitetin e institucioneve së mikrofinancës. Por cili është roli dhe aktiviteti i vërtetë i institucioneve mikrofinanciare në Shqipëri?

Detajet i jep Elsa Peca, Drejtore e Departamentit të Përputhshmërisë dhe Ligjeve në iute Albania. Një nga temat më të diskutuara ka qenë edhe dërgimi i rasteve të kredive të vogla të këqija në proces përmbarimi duke prekur edhe asete si shtëpitë e banimit.

“Iute kurrë nuk ka çuar klientë në përmbarim për shtëpitë dhe aktualisht kemi 0 shtëpi në pronësi. Dhe kjo ka një arsye shumë të thjeshtë: Së pari pasi humbim raportet me klientët tanë dhe nënshtrohemi kostove shumë të mëdha procedurale. Gjithashtu edhe koha është element  rëndësishëm, procedurat përmbarimore zgjasin shumë. Kompanitë mikrofinanciare gjithmonë përpiqen të gjejnë zgjidhje alternative për çështjet e tyre, duke përfshirë negociatat me klientët deri në 2 vite për të arritur marrëveshje për mbylljen e detyrimit. Kjo qasje na lejon të gjejmë zgjidhje të pranueshme reciproke pa ndërprerë lidhjen tone me klientin”.

Duket se ruajtja e një marrëdhënieje pozitive me klientët është një prioritet kyç. Si qëndron e vërteta, kur shpesh qarkullon se merret 1 kredi 1 milion lekë të vjetra dhe klienti duhet të kthejnë 2 milionë.

“Kjo % është totalisht e pavërtetë! Shiko, institucionet mikrofinanciare marrin më shumë rrezik sepse u shërbejnë klientëve të cilët zakonisht kanë akses të kufizuar në tregjet financiare tradicionale. Këta klientë shpesh përballen me sfida në sigurimin e kredive nga bankat tradicionale, duke e bërë mikrofinancimin një alternativë vendimtare për përfshirjen e tyre financiare. Kostoja e rrezikut për një kompani mikrofinanciare që ofron kredi konsumatore mesatarisht 35,000 lekë është rreth 19%. Në të kundërt, bankat përjetojnë një kosto rreziku rreth 2.5%. Ky rrezik më i lartë ndikon drejtpërdrejt në çmimin e kredisë konsumatore, siç pasqyrohet në normën neto të interesit efektiv ose NEI. Kohët e fundit kemi parë shumë konfuzion pikërisht rreth NEI, që është Norma Efektive e Interesit. Ky është një numër që tregon koston e vërtetë të një kredie, duke përfshirë interesin dhe çdo tarifë shtesë. Pra, Norma Efektive e Interesit (NEI) tregon me përqindje vjetore sa i kushton realisht kredia atij që të jep kredinë ty, jo sa për qind do të paguash ti. Për ta kuptuar më mirë këtë, le të marrim një hua 100,000 lekë nga një kompani e madhe mikrofinanciare në Shqipëri, për NEI ishte 97,69%, por kur kontrollon tamam, shikon që duhet të kthesh vetëm 42,140 lekë shtesë, që është 42% më shumë. Pra, NEI nuk dyfishon shumën që keni marrë hua. 42% është norma e thjeshtë e interesit që marrin shumica e klientëve të mikrofinancave serioze dhe ligjore, si iute Albania”.

Kjo duket panorama e zakonshme në lidhje me marrëdhëniet që krijojnë këto institucione me individë, por si qëndron realiteti kur flasim për biznesin e vogël apo startupet?

“Financimet e vogla shpesh here janë jetike në nxitjen e sipërmarrjes duke ofruar kredi të vogla që mund të nisin idetë fillestare dhe bizneset e vogla. Këto kredi ofrojnë mbështetje thelbësore financiare për individët që mund të mos kenë akses në shërbimet tradicionale bankare. Duke u mundësuar këtyre sipërmarrësve të aksesojnë fondet që u nevojiten, ata ndihmohen në nxitjen e inovacionit, krijimin e vendeve të punës dhe stimulimin e ekonomive lokale. Kreditë e vogla mund të jenë themeli mbi të cilin bizneset e vogla rriten dhe lulëzojnë”

Gerti Boshnjaku, ekspert në fushën e startupe-ve, teknologjinë financiare dhe zhvillimin e bizneseve të vogla tregon ndikimin që sjell dixhitalizimi tek instuticionet mikrofinanciare.

“Në fakt, është vënë re në të gjithë industrinë financiare se daixhitalizimi i mikrofinancës rritur ndjeshëm efikasitetin dhe shtrirjen e saj. Platformat dixhitale i lejojnë institucionet mikrofinanciare të thjeshtojnë operacionet e tyre, të ulin kostot dhe të përmirësojnë aksesin në shërbimet financiare për klientët në zona të largëta. Mjetet dixhitale mundësojnë gjithashtu mbledhjen dhe analizën më të mirë të të dhënave, gjë që ndihmon në vlerësimin e besueshmërisë së kredisë dhe menaxhimin më efektiv të rreziqeve. Në përgjithësi, dixhitalizimi po transformon jetët tona duke përshpejtuar shumë procese dhe sidomos në industrinë financiare, duke e bërë atë më gjithëpërfshirëse dhe të aksesueshme nga të gjitha shtresat e popullatave”.

E vërteta është që, ndërkohë që institucionet mikrofinanciare përballen me rreziqe dhe kosto më të larta, përfshirë këtu edhe fushatat e fundit të dezinformimit, fokusi i tyre duket i palëkundur në ruajtjen e marrëdhënieve me klientët dhe mbështetjen e sipërmarrësve në shkallë të vogël. Gjithashtu, transformimi i vazhdueshëm dixhital brenda industrisë së tyre, premton të rrisë më tej ndikimin dhe aksesin e tij nga sa më shumë individë dhe komunitete në vend.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!