“Iu gjetën 12 milion euro”, shqiptari më i kërkuar në Holandë arrestohet në Spanjë

schedule15:32 - 3 Qershor, 2020

schedule 15:32 - 3 Qershor, 2020

Autoritetet Spanjolle kanë arrestuar në Madrid një të shpallur në kërkim nga drejtësia holandeze.

Ai është një shqiptar i cili është i përfshirë në një rrjet trafiku droge midis Amerikës së Jugut dhe Evropës.

Autoritetet spanjolle e kanë arrestuar shqiptarin ndërsa ka qenë i izoluar në shtëpinë e tij për shkak të pandemisë së re të koronavirusit.

Autoritetet holandeze kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar pasi shqiptari është kreu i një organizate kolumbiane-shqiptare, e dedikuar në trafikun e drogës dhe pastrimin e parave.

Hetimi për të gjetur vendndodhjen e tij filloi në shtatorin e vitit të kaluar kur u arrestuan disa persona dhe u gjetën në Holandë 12 milion euro raporton abcnews.al.

Shqiptari i shumëkërkuar ishte i pajisur me dokumentacion kolumbian dhe ekuadoras.

Për arrestimin e tij u angazhuan forca të njësisë operacionale të antidrogës në shtetin spanjoll.

Ai u arrestua në shtëpinë e tij, ku agjentët sekuestruan më shumë se 40,000 euro në monedha të ndryshme (euro, dollarë amerikanë dhe dollarë kanadezë), njëzet orë prej ari, xhevahire të shumta, të cilat kapnin vlerën e më shumë se një milion euro. Gjithashtu u sekuestruan  tre kompjuterë, gjashtë telefona celularë dhe një dronë.

Përveç faktit se shqiptari është shumë i njohur në botën e krimit, autoritetet spanjolle nuk kanë informuar për identitetin e tij, por kanë njoftuar se në orët në vijim do të ketë një njoftim të dytë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!