Emisioni “Exclusive” në Top Channel i ka kushtuar një hapësirë të veçantë trajnerëve italianë që kanë qenë pjesë e Kombëtares dhe atyre që sot janë pjesë e stafit teknik. Viti 2023 ishte një nga më të suksesshmit në histori për Shqipërinë, që dominoi ndaj çdo kundërshtari dhe arriti kualifikimin në Europianin “Gjermani 2024” si vendi i parë në Grupin E. Megjithatë ky sukses ka ardhur gradualisht falë punës të mirë të bërë ndër vite, që nisi me trajnerin italian më të suksesshëm në krye të pankinës kuqezi, Gianni de Biasi.

Shqipëria për herë të parë në histori me në krye një trajner italian, siguroi finalet e një kampionati Europian “Francë 2016” dhe vetë De Biasi gjatë një rrëfimi në emisionin “Exclusive” ka treguar çdo gjë. Ish-trajneri i Kombëtares tha se që në momentin e parë kur ka zbarkuar në Shqipëri ka pasur një mendim negativ për vendin falë perceptimeve të gabuara të krijuar ndër vite për Shqipërinë, megjithatë sot De Biazi është një mik i të gjithë shqiptarëve dhe vetë trajneri italian gjatë intervistës me gazetarin Endi Tufa, tha se ndihet si në shtëpinë e tij kur viziton Shqipërinë.

“Kur mësova që do të vija në Shqipëri për mua ishte një surprizë. Nuk e njihja ambientin, por kisha një motivacion shumë të madh, doja të dilja jashtë Italisë dhe të provoja një eksperiencë të re. Mendoj që fillimi nuk ishte i thjeshtë, ashtu si në çdo gjë në fakt, që në fillim duhet t’i njohësh dhe të punosh me to më pas. Sigurisht disa shqiptarë ashtu si edhe disa italian, kur shkuan jashtë vendit të tyre bën edhe ndonjë gjë jo të bukur apo të jashtëligjshme. Më kujtohet nata e parë që do të më duhej të flija në një hotel në qendër të Tiranës, vendosa karrigen prapa derës së dhomës për ta bllokuar se mos më futej njeri në dhomë natën. E imagjinoni se si krijohen disa perceptime dhe paragjykime për disa njerëz. Sot i kujtoj këto gjëra dhe më vjen për të qeshur, por 12 vite më parë kur erdha në atë kohë e ndjeja se duhet të veproja ashtu, që të isha më i qetë me veten. Më pas jeta ime këtu u përball me shqiptarët që ishin si italianët e shumë viteve më përpara, më të dashur, më bujarë dhe më të sinqertë, të gatshëm për të të ndihmuar. Në fund të fundit tani mendoj që këtu ka shumë më pak njerëz të këqij dhe problematik se në shumë vende të tjera të botës”.

“Kisha një skuadër që nga njëra anë duhet të gëzonte publikun dhe nga ana tjetër ishte në një fazë ripërtëritjeje, pasi disa ishin në moshë më të madhe dhe duheshin gjetur të rinjtë. Sinqerisht nuk ishte aspak e thjeshtë, u bë një punë kërkimore shumë e madhe dhe patëm edhe vështirësi të mëdha. Por ajo që më pëlqeu ishte fakti se pas 2-vjeçarit të parë Presidenti vendosi që të vazhdojmë. Mund të them se ishte një zgjedhje që ja vlejti pasi në dyvjeçarin tjetër arritëm edhe objektivin tonë të parë. Një objektiv i arritur në një grup shumë të vështirë pasi kishim kundërshtarë Portugalinë, Serbinë, apo Danimarkën. Fituam në atë kohë ndaj Portugalisë në Portugali dhe ishim skuadra e vetme atë vit që arritëm t’i mundnim ata si në kualifikuese ashtu edhe në Europian sepse nuk pësuan më asnjë humbje”.

Ndeshja e Serbisë & Gjimshiti – Më tej, Gianni de Biasi u rikthye edhe njëherë pas në kohë duke komentuar ngjarjen e “14 tetorit” ndeshjen me Serbinë, të gjithë sfidat kualifikuese, kualifikimin historik në Europian dhe lënien jashtë listës përfundimtare të futbollistit Berat Gjimshiti, i cili sot është edhe kapiteni i Kombëtares. Ai tregoi se në atë moment gjithçka është vendosur nga gjendja fizike e lojtarëve dhe përgëzoi rritjen e nivelit të Gjimshitit, teksa shtoi se ai e ka sugjeruar te Atalanta.

“Serbia? Më kujtohet si të ketë ndodhur sot, ishte një mbrëmje shumë e veçantë, shumë e keqe, episodi më i keq i jetës time jo vetëm i karrierës. Përpara ndeshjes, përpara nxehjes, gjatë asaj ndeshjeje. Të vetmen gjë që mund të them është se futbollistët serb na ndihmuan, që të shkonim në dhomat e zhveshjes. Nga e gjithë ajo e keqe, kjo është e vetmja gjë e mirë që mund të them për atë ditë. Mendoj që ata nuk e donin që ne të ishim në mes të asaj që ndodhi. Por ne u ndodhëm dhe ata paguan pasojat. Megjithatë atë ndeshje ne nuk e humbëm, patëm dy raste dhe zero ato. Mund ta humbisnim, mund të fitonim por ndeshja ishte e barabartë, nuk është se kundërshtari ynë e ka në dishezë fushën dhe ne në malore”.

“Unë ndihem shqiptarë, sigurisht që si fillim jam italian, por në kuptimin që kur vij këtu më duket sikur vij në shtëpi, ndihem mirë e kaloj kohën shumë gëzueshëm. Kam shumë miq dhe kjo është gjëja më e bukur, se miqtë mbeten të tjerat harrohen”.

“Sot Berati është një lojtarë i nivelit shumë të lartë, por kjo çështje është e shtatë viteve më parë kur ai ishte rreth 22 vjeç pak a shumë. Në atë kohë luante tek Avelino dhe një vit më pas u rikthye tek Atalanta. Ai në atë kohë nuk luante asnjëherë. Në atë kohë telefonova Giovani Sartori, drejtori sportiv i Atalantës që është miku i im. E mora në telefon dhe i thash nëse Berati nuk luan si mundet që ta marr me vete në Europian, pasi unë kisha dëshirë dhe isha i predispozuar për ta marrë Gjimshitin në Europian. Për fat të keq luajti vetëm tre ndeshjet e fundit. Unë e mora në grumbullimin para Europianit ashtu siç mora Rashicën që nuk kishte luajtur asnjëherë me ne, apo siç mora Rrahmanin që kishte ndonjë minut me ne. Pasi pamë gjendjen fizike të të gjithëve, ritmin dhe gjithçka duhet, vendosëm që të lëm në shtëpi ata të tre. Duhet të dini se Gjimshitin e kam sugjeruar unë tek Atalanta duke ja këshilluar mikut tim Sartori, nuk kisha asgjë me atë, përkundrazi më bëri përshtypje fakti që pas atij momenti ai përveshi mëngët dhe ja ku është sot”, – tha De Biazi.

Rrëfimi i Eddy Reja-s – Pjesë e emisionit “Exclusive” ishte edhe një tjetër trajner italian që ka dhënë një kontribut të madh me Kombëtaren kuqezi, Edoardo Reja. Gjatë intervistës, ish-trajneri i Kombëtares ka vlerësuar punën e madhe të bërë ndër vite nga FSHF dhe ka përgëzuar në veçanti Presidentin e FSHF-së, Armand Duka duke evidentuar zhvillimin në infrastrukturë, në veçanti qendrën stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”.

“Trajnerët apo rezultatet dalëngadalë harrohen, ajo që mbetet janë raportet njerëzore. Unë këtu kam gjetur shumë miq, mbi të gjitha kam patur mbështetjen e shumë shqiptarëve, por jo vetëm këtu edhe ata që jetojnë në Itali kur më shohin më ndalojnë për ndonjë foto. Por ajo që është rritur dhe përmirësuar shumë është Federata dhe qendra e saj sportive. Këtu veç dy fushave është palestra, qendra e rikuperimit dhe të gjitha strukturat e nevojshme. Kur kam ardhur unë në krye të Shqipërisë nuk kishim asgjë. Kështu skuadra është përmirësuar ndjeshëm por kjo edhe në sajë të rritjes së institucionit dhe për të gjithë këtë duhet të përgëzojmë edhe presidentin Duka që ka bërë një punë të mrekullueshme”, – u shpreh Reja.

Prej vitesh në FSHF punojnë edhe italianë të tjetër që japin kontributin e tyre për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, si pjesë e stafit teknik të Kombëtares dhe në organizimin e kurseve shumë të rëndësishëm, që ndihmojnë në formimin e shumë profesionistëve për profesionet më të kërkuara në botën e futbollin modern.

Rossi, Stesina & Laurenti – Një ndër ta është edhe përgjegjësi i sektorit të video-analizës në FSHF që bën edhe rolin e video-analistit të Kombëtares, Alarico Rossi. Bashkë me të pjesë e emisionit “Exclusive” ishte edhe dy italianë të tjerë, Përgatitësi atletik i Kombëtares shqiptare, Luca Laurenti dhe Drejtuesi i Departamentit të Mjekësisë në FSHF, Gianluca Stesina.

Alarico Rossi dhe Luca Laurenti janë pjesë e FSHF-së që prej kohës kur kuqezinjtë drejtoheshin nga Christian Panucci, ndërsa Gianluca Stesina që prej kohës kur Shqipëria drejtohej nga Gianni de Biasi.

Gjatë intervistës Alarico Rossi tregon se puna në Kombëtare bëhet si një familje, së bashku me trajnerin Silvinjo dhe dy ndihmësit e tij, Zabaleta dhe Doriva.

“Ne jemi këtu si një familje, jemi gjashtë persona në staf, tre italianë dhe tre shqiptarë. Ng ana e italianëve jemi unë, Luca Laurenti dhe Stesina, ndërsa Ervin Bulku, Hamdi Salihi dhe Ilir Bozhiqi nga ana e shqiptarëve që punojmë së bashku për më tepër se pesë vite. Ky kualifikim në Europian ka qenë si një moment çlirimi dhe gëzimi për ne, pasi kemi luftuar, kemi vuajtur së bashku me Silvinjon, Dorivën dhe Zabaletën, për të realizuar këtë ëndërr”.

Ndërsa Luca Laurenti rikujtoi edhe njëherë momentin kur është bërë pjesë e FSHF-së si përgatitës atletik, që për të ishte ngjitje në karrierë.

“Në 2016-ën u njoha me mister Panucci-n ku bashkëpunuam tek Ternana për rreth një muaj bashkë, por ai iku dhe unë vazhdova gjatë gjithë sezonit aty. Ndërkohë në verën pasardhëse në vitin 2017-të ai u kontaktua nga Federata Shqiptare e Futbollit ku mori postin e trajnerit dhe më mori edhe mua. Që nga ai vit unë vazhdojë të jem pjesë e stafit të ekipit Kombëtar si përgatitës atletik. E mbaj mend ndeshjen e parë ishte në Elbasan me Lihteshtejnin ku ne fituam 2-0. Ajo ndeshje sigloi edhe kalimin tim, nga një epokë inferiore ku isha në Serinë B në Itali në një tjetër nivel ndërkombëtar me një përfaqësuese”.

Doktor Stesina komentoi dëmtimin e rëndë të Armando Brojës duke treguar edhe arsyet e largimit të tij nga grumbullimi, i pari nën drejtimin e trajnerit Silvinjo.

“Kur ai erdhi në grumbullim me Shqipërinë përpara ndeshjes me Çekinë, nuk ishte në gjendjen e tij 100% për të luajtur, për këtë arsye na u desh të komunikonim shpesh me mjekët e Chelsea-t dhe u vendos të mos rrezikohej por të vazhdonte programin e riaftësimit me ata. Sigurisht dëshira e tij ishte që të luante me ne, por është klubi ai që duhet të marrë masat për ta rikthyer në formën maksimale dalëngadalë”.

Shqipëria rrugëtimin në finalet e Europianit do ta nisë me Italinë, një ndeshje speciale për italianët e Kombëtares të cilët japin edhe mendimin e tyre për këtë sfidë. Alarico Rossi tha se mbrëmjen e 15 qershorit do të këndojë vetëm himnin shqiptarë dhe shtoi se Italia është një kundërshtarë si gjithë të tjerët. Ndërsa Gianluca Stesina komentoi bilancin negativ të Kombëtares në sfidat me Italinë. Ai tha se gjithmonë ka një herë të parë dhe shpreson që Shqipëria do të arrijë objektivin në sfidën ndaj Italisë.

Alarico Rossi – “Do të këndojë vetëm himnin shqiptarë. E kam, kënduar dy herë deri më tani himnin në ndeshjen ndaj Italisë dhe siç thuhet nuk ka dy pa tre. Megjithatë të them të vërtetën mua nuk më pëlqen ndeshja kundër Italisë. Për mua Italia është një kundërshtar si të tjerët”.

Gianluca Stesina – “Do ta kemi herën tjetër, në qershor, gjithmonë ka një herë të parë. Emocioni është pozitiv për faktin që ne shkuam në finalet e një Europiani dhe do të përballemi me Italinë. Një fakt që tregon se puna që të gjithë kemi bërë ka dhënë frytet e saj. Nëse ne e konsiderojmë që Italia është një skuadër e nivelit shumë të lartë në aspektin e futbollit, do të thotë që edhe ne kemi arritur në të njëjtin nivel”. /FSHF