Italia premton 35 milionë euro ndihmë për palestinezët

schedule11:16 - 25 Maj, 2024

schedule 11:16 - 25 Maj, 2024

Italia do të rinisë financimin e organizatës për ndihmë të palestinezëve, UNRWA, duke ofruar një pako të ndihmës humanitare në vlerë prej 35 milionë eurosh, tha ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.

Tajani e bëri këtë premtim më 25 maj gjatë një takimi në Romë me kryeministrin palestinez, Mohammad Mustafa.

Kryediplomati italian tha se 5 milionë euro do të shkojë për projekte të UNRWA-s, ndërkaq pjesa tjetër e ndihmës është destinuar për nismën italiane “Ushqim për Gazën”.
Italia është një prej shumë shteteve që bllokuan ndihmën për UNRWA-në, pas akuzave të bëra nga Izraeli se disa pjesëtarë të stafit të kësaj agjencie ishin përfshirë në sulmin e 7 tetorit që Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kreu ndaj Izraelit, sulm që nxiti luftën në Gazë.

“Italia ka vendosur të rinisë financimin e projekteve specifike të destinuara për të ndihmuar refugjatët palestinezë, por vetëm pas kontrolleve të ashpra që garantojnë se asnjë cent nuk do të përdoret për të mbështetur terrorizmin”, tha Tajani.

UNRWA punëson 13.000 persona në Gazë dhe udhëheq shkollat e enklavës, klinikat e kujdesit primar shëndetësor dhe shërbime të tjera. Kjo organizatë po ashtu shpërndan ndihmë humanitare.

Në javët e fundit, disa shtete kanë rinisur financimin e kësaj organizate. Muajin e kaluar, Gjermania tha se do të rinisë bashkëpunimin e UNRWA-në pas një raporti, të udhëhequr nga ish-ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna, lidhur me procedurat e UNRWA-s për të siguruar respektimin e parimeve të neutralitetit./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!