Nuk luajtën dy më të mirët e botës, por emocionet ishin thuajse të njëjta.
Kështu ndodh kur luhet Kupa Dejvis, dhe kur tifozët kanë në fushë tenistët me fanelat e kombëtares.
Italia ia doli pikërisht përpara publikut të saj, në Arenën e tenisit në Bolonjë, duke marrë titullin pasi mundi Spanjën 2-0 me ndeshje.
Mateo Berretini dhe Flavio Koboli u treguan më të fortë se rivalët Pablo Karreno Busta e Haume Munar.
Të Kaltrit nuk kishin numrin 2 të botës, Janik Siner, dhe Furitë e Kuqe ishin pa numrin 1, Karlos Alkaraz.
Berretini ia doli më lehtë, me suksesin 2-0 dhe me setet 6-3 e 6-4 ndaj Karreno Bustës.
Më e fortë ndeshja e dytë, pasi spanjolli Munar fitoi setin e parë 6-1, por pastaj Koboli ia doli me shumë vështirësi në dy setet e tjera, 7-6 e 7-5.
Kjo bëri që ndeshja e dysheve të mos kishte nevojë të luhej.
Italia e fitoi për herë të tretë radhazi Kupën Dejvis, dhe vetëm gjigandë si Shtetet e Bashkuara, Australia, Franca apo Britania e Madhe kanë pasur seri më të gjatë.
Në total, Të Kaltrit kanë 4 tituj, ndërsa rekordmenë janë amerikanët me 32.

