Italia i kthen shpresën tifozëve

schedule16:27 - 24 Mars, 2019

schedule 16:27 - 24 Mars, 2019

Italia i ktheu shpresën tifozëve me fitoren 2-0 në eleminatoret e Europianit ndaj Finlandës. Skuadra pati disa lojtarë me të ardhme, ku spikati talenti i Juventusit, Kean.

Sukseset janë gjithnjë të bukur, veçse shkëlqejnë më shumë kur i arrijnë të rinjtë. Edhe dhjetëra mijë tifozë të sotëm italianë u lumturuan në stadiumin “Friuli” të Udines, nga golat e djaloshëve Nicolo Barella dhe Moise Kean, njëlloj si brezat e mrekullueshëm të Ajaksit, në të kaluarën dhe sot.

U fitua ndeshja eleminatore e Europianit ndaj Finlandës, me shifrat 2-0, por më shumë rëndësi pati kthimi i shpresës.

Barella është më i konfirmuar, pasi i ka mbushur tashmë 22 vjeç, por edhe më i veçantë mund të quhet Kean, ende vetëm 19 vjeç. Ky ishte goli i parë i adoleshentit me fanellën e kaltër, dhe atij iu deshën vetëm dy ndeshje për t’ia dalë.

Pas dështimit në Botërorin e Rusisë, ku Italia nuk shkoi dot në fazën finale, ëndrra e tifozëve, por edhe e trajnerit Roberto Mançini, është që të krijohet një brez i ri, për t’u kthyer tek tradita e vjetër.

“Po, ne mundemi”, titullon “La Gazzeta dello Sport”, veçse duke bërë lojë fjalësh me mbiemrin e yllit të ri, në vend të fjalës anglisht “mundemi”. “Italia vogëlushe ekziston, shënon Barela dhe juventini”, vazhdon media e famshme milaneze.

I njëjti titull, me të njëjtën lojë fjalësh, edhe nga “Il Corriere dello Sport”, që shton se “Italia nis nga një adoleshent i viteve 2000, që shton shpresat për në Euro 2020”.

Moise Kean mund të quhet një njeri i shënjuar nga fati. Edhe pse jo me origjinë italiane, ai lindi pikërisht në Verçeli të Italisë, dhe nisi futbollin fillimisht me Astin e Torinon, për t’u bashkuar me Juventusin në moshën 10-vjeçare.

Kaloi pengesat në skuadrat e moshave, duke u bërë gjithnjë e më I mirë, dhe në 2016, u bë i pari lojtar i lindur në vitin 2000, që luajti në njërën nga 5 ligat e mëdha të futbollit. Tashmë, ai e ka stabilizuar veten në ekipin e parë juventin të trajnerit Allegri, madje ka shënuar 3 gola në 7 ndeshje.

Siç e thotë edhe vetë, ai po mëson nga Cristiano Ronaldo, ndërsa shpreson të marrë stafetën nga brezi më i madh, si Mandzukiç apo vetë portugezi. Me ekipet kombëtare të moshave, Kin, ka qenë edhe më i suksesshëm, pasi ka realizuar gola në çdo nivel, që nga U15-ta e deri në U21.

Gjithsej, ai ka 22 rrjeta në 37 ndeshje me fanellën e kaltër, për të gjitha moshat, diçka e veçantë për një 19-vjeçar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!