“Italia fiton Europianin. Mancini na ka rikthyer dashurinë për kombëtaren”

schedule16:43 - 14 Shkurt, 2020

schedule 16:43 - 14 Shkurt, 2020

Christian Vieri po e shijon garën e fortë për titullin kampion në Serie A. Inter, Juventus dhe Lazio po garojnë fort për trofeun e madh, skuadra me të cilët ish-sulmuesi italian është aktivizuar gjatë karrierës së tij. 46-vjeçari tregon edhe idhujt e tij në prononcimin e dhënë për mediat italiane, teksa beson fort te kombëtarja italiane. Roberto Mancini i ka ndryshuar fytyrën Italisë dhe Vieri shpreson që ai dhe djemtë e tij të fitojnë Europianin që nis në verë.

TITULLI – “Unë nuk kam skuadër të preferuar, bëj tifozllëk për të gjithë skuadrat me të cilat kam luajtur. Ky kampionat është shumë i bukur, sepse janë tre skuadra që po luftojnë për titull. Nuk ndodhte diçka e tillë prej 15 vitesh, kështu që do të zbavitemi shumë. Idhujt e mi? Kanë qenë Gianluca Vialli dhe Roberto Mancini në kohën e Sampdorias, përveç Roberto Baggios“.

ITALIA – “E adhuroj kombëtaren dhe, sipas meje, mund të fitojmë Europianin. Nuk kam një lojtar të preferuar, por jam i bindur që skuadra është shumë e fortë. Mancini ka meritën kryesore, ai e ka krijuar këtë kombëtare. Ishte një kohë që Italia nuk tërhiqte më, nuk e ndiqte askush në TV, Mancini na ka bërë ta dashurojmë përsëri.

Ka krijuar një harmoni me të gjithë lojtarët, ka grumbulluar shumë lojtarë të rinj, edhe pse disa prej tyre nuk aktivizoheshin në klubet e tyre. Tani këta djem po zbaviten dhe po fitojnë. Skuadra është një përzierje perfekte mes talenteve dhe lojtarëve me eksperiencë, ka shumë talent në të. Mendoj se do të shkoj t’i shoh të gjitha ndeshjet e Italisë“. /abcnews.al