Të mërkurën, kryeministrat e Italisë dhe Polonisë thanë se Bashkimi Evropian duhet t’i japë përparësi përpjekjeve për të ndaluar migrimin e paligjshëm në vend që të fokusohet në bindjen e vendeve anëtare për të ndarë përgjegjësinë për ardhjet e paautorizuara.
Kryeministrja Georgia Meloni, liderja e krahut të djathtë të Italisë, vizitoi Varshavën për t’u takuar me homologun e saj konservator polak, kryeministrin Mateusz Moraëiecki.
Italia, duke qenë një nga destinacionet e para për azilkërkuesit që kalojnë Detin Mesdhe për të arritur në Evropë, kërkon të zvogëlojë numrin e mbërritjeve të tyre.
Javën e kaluar, Polonia dhe Hungaria vendosën veton ndaj një deklarate të liderëve të BE-së në lidhje me prioritetet për kufizimin e ardhjeve të emigrantëve në Bashkimin Evropian.
Për më tepër, të dy vendet votuan kundër një marrëveshjeje më 8 qershor që synonte të vendoste një ekuilibër midis detyrimeve të vendeve të vijës së parë dhe kërkesës që vendet e tjera anëtare të ofrojnë mbështetje.
Qeveritë në Varshavë dhe Budapest këmbëngulin se parandalimi i hyrjes së njerëzve në BE është një qasje më e mirë.
Pas bisedimeve të saj me Moraëieckin, Meloni tha se ajo mendon se blloku nuk do të jetë në gjendje të “gjejë një zgjidhje reale” për situatën me emigrantë.
“Unë besoj se qëndrimi ynë është në thelb i njëjtë. Ne duam të ndalojmë migrimin e paligjshëm”, tha Meloni. Duke iu referuar qëndrimit të qeverisë polake, ajo shtoi: “Unë nuk mund të mos mbroj dikë që mbron interesat kombëtare”.
Moraëiecki tha se ishte “themelore” për qeverinë e tij që të “izolohen” kufijtë e jashtëm të BE-së dhe se qeveria gjithashtu kundërshtoi një dispozitë në marrëveshjen e qershorit që kërkon gjobitjen e vendeve që refuzojnë të presin një pjesë të azilkërkuesve me 20,000 euro për person.
Polonia ka pranuar miliona refugjatë lufte nga Ukraina, rreth 1.2 milionë prej të cilëve janë regjistruar dhe kanë marrë të drejtën për të jetuar, punuar, ndjekur shkollën dhe për të marrë përfitime sociale.
Moraëiecki tha se qeveria e tij do të organizojë një referendum këtë vit duke kërkuar nga polakët mendimin e tyre për pranimin e emigrantëve që kanë hyrë ilegalisht në BE.
Të dy krerët folën gjithashtu në një takim të Grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë, një aleancë e Parlamentit të BE. /REL