Roberto Mancini po e pret me padurim Euro 2021. Italia është rikthyer te rezultatet pozitive dhe loja e bukur. Grup i ri lojtarësh të talentuar, emrat e mëdhenj si dikur mungojnë, por trajneri i kombëtares së kaltër ka besim maksimal tek ekipi i tij.
“Tek Italia shoh entuziazëm, miqësi dhe respekt. Puna ime po bazohet në aspektin teknik dhe karakterial. Kam gjetur mirëkuptimin e djemve, ata po më ndjekin dhe e shprehin entuziazmin e tyre në lidhje me punën që po bëjmë.
Eliminimi nga Botërori Rusi 2018 dukej si një rrugë pa kthim, por futbolli italian nuk mund të mbaronte aty. E dija që do gjeja lojtarët e duhur kur mora drejtimin e Italisë, mjafton që t’i kërkoja ata”, deklaron Mancini për Gazzetta di Modena.
Nuk mungon edhe një koment për Serie A. Gara për titullin në Itali këtë sezon është shumë e bukur, teksa Mancini mbetet i idesë se Juventusi është skuadra për t’u mundur. “Ky është një kampionat ndryshe, vlerat janë anuluar disa për disa arsye.
Është e vështirë të luash pa tifozë dhe gara për titull do të jetë e pasigurt. Ndjekësit janë afruar shumë, por Juventusi mbetet ekipi për t’u mundur. Interi mund të paguajë çmimin e eliminimit nga Champions, por ka një skuadër të besueshme dhe të fortë.
Kam bindjen se Milani do e përballojë presionin, kjo edhe falë faktit se kuqezinjtë kanë Zlatan Ibrahimovic. Ai është një shembull fantastik për lojtarët e rinj“, përfundon Roberto Mancini. /abcnews.al