Itali, teatri i operas “La Scala” refuzon ofertën saudite

schedule20:24 - 18 Mars, 2019

schedule 20:24 - 18 Mars, 2019

Autoritetet në Itali i kanë thënë “Jo” një oferte milionere të ardhur nga Arabia Saudite për menaxhimin e teatrit prestigjioz të operas “La Scala”. Pas një debati të gjerë, ku ndërhyri edhe politika, autoritetet vendase kanë kthyer mbrapsht dorëzaninë e parë të fondit të dërguar nga mbretëria islamike.

Teatri italian i operas “La Scala” ka vendosur t’i kthejë mbrapsht një fond prej 3 milionë eurosh Arabisë Saudite, pasi plani për të bashkëpunuar më ngushtë me mbretërinë u kritikua gjerësisht edhe nga anëtarët e partisë radikale Liga e Veriut.

Propozimi saudit, i cili përfshinte edhe garantimin e një vendi në “La Scala” për ministrin saudit të Kulturës, kishte shkaktuar debate të ashpra me grupet e të drejtave të njeriut dhe me disa politikanë, që argumentonin se një ndër institucionet më prestigjioze italiane të kulturës nuk duhet t’i pranojë paratë nga një vend islamik.

Mbretëria arabe është akuzuar vazhdimisht për shkelje të të drejtave të njeriut dhe është ndodhur nën mbikëqyrje ndërkombëtare që nga vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi në Tetor. Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, që është gjithashtu kryetar i bordit të La Skala, ka deklaruar se fondi, pjesë e një pakete prej 15 milionë eurosh, ishte depozituar në formë dorëzanie pa konsensusin e teatrit.

“Unanimisht kemi vendosur t’i kthejmë paratë. Nuk është kjo rruga e duhur për të vepruar”, ka thënë Sala për gazetarët.

Më herët, zëvendëskryeministri Mateo Salvini, lider i ekstremit të djathtë, i kishte bërë thirrje teatrit të operas që ta refuzonte ofertën saudite, në mënyrë që institucioni artistik të ruante identitetin e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!