Itali, Salvini bllokon dy anije me emigrantë në ujërat e Mesdheut

schedule19:00 - 13 Gusht, 2019

schedule 19:00 - 13 Gusht, 2019

Numri dy i qeverisë italiane, Mateo Salvini vijon me fushatën e tij anti-emigracion, që i ka sjellë një rritje të popullaritetit. Së fundmi ai ka bërë me dije se do të ndalojë dy anije me rreth 500 refugjatë afrikanë që të ankorojnë në portet italiane.

Ministri i Brendshëm italian, Mateo Salvini ka deklaruar të martën se po punon për të parandaluar që dy anije me rreth 500 emigrantë në bord të zbarkojnë në Itali në ditët e ardhshme. Anija franceze “Ocean Viking” dhe ajo spanjolle “Open Arms” po transportojnë përkatësisht 365 dhe 160 emigrantë, të rekuperuar në brigjet e Libisë javën e kaluar.

Të dyja mjetet lundruese ndodhen në qendër të Mesdheut, me një distancë jo të gjatë nga ishulli italian i Lampeduzës dhe po përpiqen të gjejnë një port të sigurtë ku të zbarkojnë emigrantët, kryesisht afrikanë. Por Salvini, lider i partisë së ekstremit të djathtë Liga e Veriut, deklaroi të martën se anijet nuk janë një problem që duhet t’i zgjidhë Roma zyrtare.

“Po punoj në ministri që prej mëngjesit për të parandaluar që mbi 500 emigrantë të zbarkojnë nga dy anije bamirësie, një franceze dhe një spanjolle. Do t’ju njoftoj se si do të përfundojë, por ndërkohë nuk do të dorëzohem”, tha Salvini përmes një postimi në Facebook. Salvini ka parë një rritje të popullaritetit të tij në Itali që kur mori detyrën vitin e kaluar dhe ndërmori një fushatë të ashpër kundër emigracionit.

Më herët gjatë muajit, ai prezantoi një ligj të ri që rrit deri në 1 milion euro gjobat për anijet që hyjnë në ujërat territoriale italiane pa autorizim. Gjithashtu, ligji parashikon arrestimin e kapitenëve të anijeve që injorojnë urdhëratë e marinës vendase dhe lejon këtë të fundit të sekuestrojë automatikisht mjetet./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!