Itali, rritet mbështetja për ligën e veriut

schedule22:31 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 22:31 - 8 Dhjetor, 2018

Dhjetëra mijëra qytetarë të mbledhur të shtunën në qendër të Romës dhanë sinjalin se mbështetja për partinë radikale Liga e Veriut dhe liderin e saj Mateo Salvini është rritur ndjeshëm. Vetë Salvini u ka premtuar të pranishëmve se do të mbajë premtimet e tij, pavarësisht kundërshtimeve të BE-së.

Zëvendës kryeministri i Italisë, Mateo Salvini udhëhoqi të shtunën një miting në një nga sheshet kryesore të Romës, ku ishin mbledhur dhjetëra mijëra simpatizantë, tregues i mbështetjes së rritur për partinë e tij radikale. I mbërthyer në një betejë me Brukselin për shkak të planeve të qeverisë italiane për buxhetin e vitit të ardhshëm, Salvini tha para të pranishëmve që brohorisnin se do t’i mbajë premtimet për rritjen e shpenzimeve publike, duke nënvizuar se tkurrja e tyre do të sjellë vetëm dhunën që ka kapluar Francën fqinje. “Kur në lojë është e drejta dhe detyra jonë për të rikthyer dinjitetin, krenarinë, sigurinë, pensionet dhe vendet e punës për të gjithë italilanët, atëherë po ju them se ne nuk do të tërhiqemi”, deklaroi Salvini.

Salvini mori drejtimin e Ligës së Veriut në vitin 2013, kur ishte vetëm një parti e vogël, e pllakosur nga skandalet rajonale dhe kur me zorr arrinte 3 për qind në zgjedhje. Por nën lidershipin e tij, me frymën nacionaliste dhe kundër emigrantëve, Liga është kthyer në një forcë kombëtare që fitoi 17 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të marsit dhe që sot qeveris me partinë anti-sistem Lëvizja 5 Yjet. Që nga marrja e detyrës si zëvendës kryeministër dhe ministër i Brendshëm, Salvini i është përmbajtur premtimit për të ulur në mënyrë drastike fluksin e emigrantëve nga Afrika në Itali, që e ka çuar popullaritetin e Ligës së Veriut në rreth 34 për qind, duke e kthyer në partinë më të madhe në Itali.

Mbështetësit e tij u mblodhën nga gjithë Italia në sheshin e Popullit, duke valëvitur flamujt me emrat e qyteteve, që varionin nga ato jugore si Bari dhe Napoli, tek ato veriore si Venecia dhe Milano. Teksa u zotua se koalicioni-qeverisës do ta përmbushë mandatin 5-vjeçar, Salvini tha se Bashkimi Europian duhet të fokusohet tek nxitja e rritjes ekonomike sesa të fiksohet pas shkurtimeve. “Dikush e ka tradhtuar ëndrrën europiane, por ne do të kthejmë forcën dhe gjakun në venat e një komuniteti të ri europian”, u shpreh Salvini, duke premtuar edhe uljen e moshës së pensionit dhe reduktimin e taksave./abcnews.al