Lëvizja 5 Yjet në Itali rrezikon ta rikthejë vendin në krizë politike. Pavarësisht afrimit me demokratët, plani i saj për ta testuar online marrëveshjen me ta, mund të çojë në shkërmoqjen e gjithckaje që është arritur në ditët e fundit.
Italia duket se po shkon drejt fundit të krizës politike, që çoi në rënien e një qeverie dhe në krjimin e një tjetre, por një votim online mund të prishë gjithçka dhe ta rikthejë vendin në kaos. Lëvizja anti-sistem 5 Yjet ka deklaruar se përpara se të nënshkruajë marrëveshjen e koalicionit me Partinë Demokratike do ta postojë atë online në një faqe sondazhesh, ku anëtarët e saj do të votojnë. Data e votimit nuk është caktuar ende, por ai do të mbahet në ditët e ardhshme në platformën e internetit të 5 Yjeve. Parashikimet sugjerojnë se nuk ka asnjë garanci për një rezultat pozitiv që do të konfirmonte ekzekutivin e ri. Kjo, pasi shumë anëtarë të 5 Yjeve e shohin Partinë Demokratike si simbolin e korrupsionit në Itali, fenomen që lëvizja e drejtuar nga Luixhi di Maio është zotuar ta luftojë. Një sondazh i kryer nga agjencia “Uinpoll” ditën e diel tregonte se 43 për qind e votuesve të 5 Yjeve mbështesnin një aleancë me demokratët, 22 për qind të tjerë donin të shkonin në zgjedhje të parakohshme, 16 për qind ishin pro rikrijimit të aleances me partinë e ekstremit të djathtë Liga e Veriut, ndërsa 19 për qind ishin të pavendosur. Demokracia me bazë interneti ka qenë një nga parimet kyçe të Lëvizjes 5 Yjet që nga krijimi i saj në vitin 2009 nga komediani Bepe Grilo dhe Xhanroberto Kazalexho, një vizionar interneti që ndërroi jetë tre vjet më parë. /ABC News Albania 24/7