Itali, qeveria “Conte 2” merr votëbesimin edhe në senat

schedule22:30 - 10 Shtator, 2019

schedule 22:30 - 10 Shtator, 2019

Qeveria e Xhuzepe Konte në Itali është gati të rifillojë nga puna, këtë herë me koalicionin e ri mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Partisë Demokratike. Të martën, qeveria “Konte 2” kaloi me sukses pengesën e fundit, që ishte votëbesimi në Senat, ku mori mbështetjen e senatorëve të përjetshëm.

Ka kaluar me 169 vota pro votëbesimi në Senat për qeverinë “Konte 2”. Kuota e arritur ka qenë dy vota më pak se ajo e regjistruar në votëbesimin e “Konte 1”, por 9 vota më lartë se kuorumi i nevojshëm prej 160 votash pro. Sipas “Corriere della Sera”, votëbesimi në Senat i qeverisë Konte ishte më pak i sigurt krahasuar me atë të së hënës në Dhomën e Deputetëve, por shumë senatorë të përjetshëm shprehën më herët gatishmërinë e tyre për të vënë në punë qeverinë. Gjatë seancës, përpara se të arrihej tek votimi përfundimtar, ajo që ra në sy ishte dueli mes kreut të Ligës së Veriut, Mateo Salvinit dhe kryeministrit Xhuzepe Konte. Salvini filloi i pari duke e quajtur kryeministrin një tradhtar që ka bërë gjithçka për hir të një kolltuku, “tek i cili je ngjitur si një mumje”, i tha ai. Gjithashtu, kreu i ekstremistëve e etiketoi kreun e qeverisë si njeriun e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila sipas tij i do të keqen Italisë. “Por mos u shqetësoni, nuk mund të shpëtoni përgjithmonë. Ne do të rikthehemi në pushtet dhe do ta bëjmë këtë për hir të dashurisë që kemi për Italinë dhe jo për kolltuqet qeveritare”, tha më tej Salvini. Nga ana e tij, Konte u shpreh i keqardhur që “miqtë me të cilët qeveriste deri dje sot nuk janë kthyer në kundërshtarë, por në armiq”. Ai akuzoi Salvinin se vetëm për të patur pushtet absolut krijoi një krizë qeveritare pa marrë parasysh pasojat. “Bëre gjithçka vetë, në mënyrë të njëanshme ndërpreve punën e ekzekutivit dhe u përpoqe të çoje vendin në zgjedhje të parakohshme, nisur nga dëshira për të patur gjithçka në dorë”, i tha Konte Salvinit. Më tej gjatë fjalimit të tij, Konte iu referua programit qeverisës. Ai e vuri theksin tek manovrat për të shmangur rritjen e taksave dhe tek çështja e emigracionit, duke u bërë thirrje të gjithëve që të çlirohen nga obsesioni i parullës “porte të hapura, porte të mbyllura”. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!