Itali, prokuroria kërkon 6 vite burg për Salvinin/ Ndaloi në vitin 2019 zbarkimin e 147 emigrantëve

schedule21:13 - 14 Shtator, 2024

schedule 21:13 - 14 Shtator, 2024

Prokuroria e Palermos ka kërkuar që Matteo Salvini të dënohet me gjashtë vjet burg për urdhërin e dhënë në vitin 2019 për të ndaluar zbarkimin e emigrantëve në brigjet e Italisë.

Lideri i ‘Lidhjes së Veriut’ dhe ministri aktual i Infrastrukturës akuzohet për pengmarrje dhe refuzim të akteve zyrtare për vonimin e zbarkimit të 147 emigrantëve nga bordi i anijes Open Arms në gusht 2019, kur ishte ministër i Brendshëm.

Sipas prokurorisë, Salvini, duke mohuar autorizimin për zbarkimin nuk kreu një akt politik, por një zgjedhje personale që shkonte përtej vijës qeveritare të ekzekutivit Conte 1, lidhur me rishpërndarjen e emigrantëve në Evropë.

Në përfundim të aktakuzës së gjyqit Open Arms, i cili zgjati afërsisht shtatë orë, zëvendësprokurori i Palermos kërkoi një dënim me gjashtë vjet burg për ministrin Matteo Salvini, i akuzuar për rrëmbim dhe refuzim të dokumenteve zyrtare.

Pas kërkesës së prokurorisë reagoi dhe Salvini duke shkruar në rrjetet sociale

“Do ta bëja sërish të gjithën nga e para: mbrojtja e kufijve nga emigrantët e paligjshëm nuk është vepër penale”.

Ai mori menjëherë solidaritetin nga kryeministrja Giorgia Meloni, e cila është në koalicion me të. “Të shndërrosh detyrën për të mbrojtur kufijtë italianë nga imigracioni i paligjshëm në një krim është një precedent shumë i rëndë. Solidariteti im i plotë me ministrin Salvini. Gjashtë vjet burg për bllokimin e zbarkimeve dhe mbrojtjen e Italisë dhe italianëve? Marrëzi. Të mbrosh Italinë nuk është krim dhe nuk do të dorëzohem as tani e as kurrë” u shpreh ajo

Vendimi për Matteo Salvinin do të merret nga një gjykatës i lartë, pasi ka kaluar tashmë një proces gjyqësor prej tre fazash. Një vendim përfundimtar mund t’ia ndalojë atij edhe mbajtjen e funksioneve publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!