Nga Valentina Saini, Euobserver
Në fillim të marsit të vitit të shkuar, ndërsa Italia po gjunjëzohej nga Covid-19, shpërthyen protesta në shumë burgje në mbarë vendin. Disa prej tyre degjeneruan në trazira. Sipas hetimeve të vazhdueshme, organizatat e ndryshme mafioze që ka Italia, duket se kanë luajtur një rol të madh në nxitjen e këtij kaosi.
Muaj më vonë, në tetor 2020, protesta të ashpra shpërthyen edhe në rrugët e Napolit. Pjesëtarë të Camorra-s, mafia e fuqishme e Napolit e përshkruar në librat e tij nga gazetari Roberto Saviano, ishin midis atyre që i vunë flakën koshave të plehrave dhe qëlluan me gurë policinë.
Sipas një raporti të fundit nga drejtoria italiane e hetimit antimafia (DIA), “organizatat kriminale janë të interesuara për episodet e trazirave urbane, duke shfrytëzuar situatën e vështirësive ekonomike,në mënyrë që t’i shndërrojnë ato në protesta sociale, sidomos në jug të vendit”.
Ashtu si vendet e tjera të BE-së, Italia ka përjetuar një krizë të rëndë ekonomike që nga shpërthimi i epidemisë sëCovid-19. PBB-ja e vendit ra me 8.9 për qind në vitin 2020. Dhe organizatat mafioze po e shtrëngojnë edhe më shumë kontrollin e tyre mbi shoqërinë dhe ekonominë italiane.
“Mafia ka përfituar gjithmonë nga katastrofat. Ajo e ka bërë këtë pas tërmetit të madh në Irpinia të Italisë Jugore në vitin 1962, dhe ka vazhduar me tërmetet dhe katastrofat që pasuan”- shpjegon Antonio Nicaso, një ekspert i njohur ndërkombëtarisht, autor i më shumë se 30 librave mbi mafian dhe krimin e organizuar.
“Mafia e ka shfrytëzuar pandeminë për të zgjeruar biznesin e saj të ndyrë”-shton ai. Mafiozët kanë një kapacitet të madh për të investuar. Trafikimi dhe tregtia e drogës nuk u ndal gjatë bllokimit.
“Mjerisht, ekonomia e drogës nuk është një ekonomi paralele me atë legjitime, por e integruar me këtë të fundit. Tani pastrimi i parave po bëhet oksigjeni i ekonomisë të ligjshme”-thekson Nicaso. Në raportin e saj kundër pastrimit të parave për vitin 2020, Banka e Italisë raportoi mbi 110.000 transaksione të dyshimta.
Kriza ekonomike ka vendosur në rrezik falimentimi më shumë se 100.000 sipërmarrje në Itali. Organizatat mafioze sigurojnë hua për bizneset që janë buzë humnerës, duke marrë aksione në këmbim të ndihmës, ose duke i blerë ato kur kompania është në prag të falimentimit.
Mafiozët shpërndajnë makarona, qumësht dhe mish në lagjet me të ardhura të ulëta në Napoli, Palermo, Katania dhe Rexho Kalabria. Ata u japin hua para njerëzve të papunë, ndonjëherë me norma të ulëta interesi. Ekspertët e quajnë këtë një“mirëqenie mafioze”.
“Legjitimiteti i bazuar në konsensusin shoqëror është shumë i vlefshëm për grupet kriminale. Kriza si kjo aktualja, i nxisin mafiozët të përpiqen të qeverisin si autoritete legjitime. Ato po ndjekin modelin e vjetër të Al Kapones, që në vitin 1929 hapi mensa falas për të varfrit.
Ai nuk kërkonte asgjë në këmbim. Por e dinte që njerëzit që po ndihmonte i detyroheshin një favor”- thotë Federico Varese, profesor i kriminologjisë në Universitetin e Oksfordit.
Nëpërmjet mashtrimit, organizatat mafioze kanë arritur të marrin një pjesë të ndihmave të qeverisë italiane për kompanitë dhe qytetarët në vështirësi. Gjithashtu, ata janë përfshirë në biznesin e luftës kundër Covid-19.
Në majin e vitit 2020, një burrë i dyshuar si i lidhur me Camorra-n, i vënë nën përgjim nga drejtësia, deklaroi në një bisedë telefonike se “ti duhet të bësh para me virusin”. Ai donte që ta kthente biznesin e kushëririt të tij të larjes së makinave në Pezaro (Italia Qendrore) në një kompani pastrimi.
Në përgjithësi, mafia po e shfrytëzon kaosin e shkaktuar nga emergjenca e Covid-19, për të depërtuar edhe më thellë në sektorë ku ajo është tashmë e pranishme, si kujdesi shëndetësor, shërbimet mortore dhe asgjësimi i mbeturinave (si mjekësore ashtu edhe jo-mjekësore).
“Të gjitha ndërmarrjet e mëdha, duhet të merren me asgjësimin e mbeturinave. Kryerja e kësaj gjëje përmes mafies,nënkupton një kursim prej 90 për qind krahasuar me sistemet zyrtare dhe të ligjshme të menaxhimit të mbeturinave”- shprehet Stefania Pelegrini, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Bolonjës.
Tani sytë e mafias janë drejtuar nga miliardat që do të vijnë në Itali përmes Fondit të Rimëkëmbjes së Bashkimit Evropian.Vincenzo Musacchio është profesor i së drejtës penale, i lidhur me Institutin Rutgers mbi Studimet Kundër Korrupsionit (RIACS) në Universitetin Njuark.
Ai vëren se ndërmjet viteve 2015-2020, BE i ka dhënë rreth 70 miliardë euro Italisë, këto të ndara në fonde strukturore dhe të investimeve. Gjysma e këtyre fondeve përfundoi në duart e krimit të organizuar. Tani që “torta” është edhe më e madhe, po shtohet nepsi i mafias për një copë.
Për këtë arsye, ekspertët e konsultuar nga “EUobserver”, këmbëngulin që qeveria e udhëhequr nga Mario Draghi nuk duhet që të thjeshtojë procedurat e tenderimit.“Rregullat janë të nevojshëm edhe për të parandaluar rënien e parave publike në duart e organizatave mafioze. Reduktimi i rregullave nuk ua bën jetën më të lehtë kompanive të ndershme që janë në vështirësi, por ndihmon bizneset e mafias, ose ato të kontrolluara prej tyre”- thotë një gjykatës nga Italia veriore.
Sigurisht, organizatat mafioze nuk përdorin dhunë por korrupsionin për të shtënë në dorë fondet evropiane, për shembull në administratën publike lokale. “Dhe kjo është ajo që do të ndodhë edhe me Fondin e Rimëkëmbjes të BE-së”- parashikon Pelegrini.
Gjithsesi, ky është një problem që shtrihet në gjithë Evropën:organizatat mafioze italiane priren që t’i pastrojnë paratë e tyre në vendet e tjera evropiane përveç Italisë, si Spanja, Gjermania (ku mafia kalabreze Ndrangheta është shumë e fortë), Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar pas Brexit.
Musacchio është pesimist:“Ne jemi të paktën 10 vjet të vonuar në zhvillimin e një strategjie të koordinuar evropiane për të luftuar mafian. Megjithatë, kjo bëhet sërish duke ndjekur rrugën e përshkruar dikur nga Giovanni Falcone, gjykatësi i vrarë nga Cosa Nostra në vitin 1992:ndiqni paratë se ku shkojnë. Dhe kjo gjë nuk po ndodh në Evropë”. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al