Itali, lëvizja “5 yjet” i vendos kushte demokratëve

schedule22:20 - 30 Gusht, 2019

schedule 22:20 - 30 Gusht, 2019

Me një lëvizje të papritur, Lëvizja “5 Yjet” në Itali ka frenuar optimizmin për formimin e një qeverie të re. Kryetari Luixhi Di Maio i ka vendosur si kusht demokratëve pranimin e programit të tij qeverisës, në të kundërt ka paralajmëruar me zgjedhje.

Lëvizja 5 Yjet në Itali ka bërë të ditur se do t’i bashkohet koalicionit me Partinë Demokratike vetëm nëse kjo e fundit pranon t’i përmbahet disa politikave të caktuara. Deklarata është bërë nga kryetari Luixhi Di Maio, i cili ka përdorur një ton që nuk ka lënë vend për kompromis. Mesazhi i tij frenoi optimizmin se me demokratët mund të arrihet një marrëveshje, duke bërë që tregjet financiare të pësojnë rënie. Ndërkohë, demokratët kanë kërkuar nga 5 Yjet sqarime të menjëhershme mbi ato që kërkojnë dhe nëse duan vërtet të bëjnë një koalicion së bashku. Koalicioni i mëparshëm, i përbërë nga 5 Yjet dhe Liga e Veriut u shpërbë më herët gjatë muajit kur lideri i ekstremistëve Mateo Salvini u tërhoq me shpresën të çonte vendin në zgjedhje të parakohshme, i nxitur nga rritja e popullaritetit. Por lëvizja e tij rezultoi një taktikë e gabuar kur 5 Yjet dhe PD papritur deklaruan se ishin gati të linin pas armiqësitë historike dhe të formonin një koalicion të ri, sërish me kryeministër Xhuzepe Konten. Por papritur Di Maio ka zgjedhur të vendosë një linjë të ashpër, duke deklaruar se PD duhet të mbështesë politikat e tij nëse dëshiron të formojë qeverinë. “Kërkesat tona janë të qarta. Nëse ata pranojnë programin tonë qeverisës, atëherë mund të nisim nga puna. Nëse jo do të ishte më mirë të shkonim në zgjedhje dhe madje sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Di Maio për mediat. Mes politikave që kërkon Lëvizja 5 Yjet renditen reduktimi i numrit të ligjvënësve, heqja e liçencës për mirëmbajtjen e autostradave kompanisë “Atlantia” dhe pranimi i një ligji që synon kufizimin e burimeve njerëzore për emigrantët. /ABC News Albania 24/7