Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike në Itali kanë zyrtarizuar të martën bashkëpunimin për formimin e qeverisë së re, që prioritet do të ketë buxhetin e vitit të ardhshëm. Për këtë bashkëpunim, 5 Yjet kanë marrë edhe konsensusin e elektoratit përmes një votimi të realizuar Online.
Lëvizja anti-sistem 5 Yjet dhe demokratët e qendrës së majtë në Itali publikuan të martën programin e përbashkët politik për formimin e qeverisë, duke vendosur në krye të axhendës një buxhet ekspansiv për vitin 2020.
Lëvizja 5 Yjet, e krijuar një dekadë më parë duke i bërë opozitë Partisë Demokratike, pranoi të formojë një administratë të re me ish-armiqtë e saj për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, një opsion i përfolur pas prishjes së koalicionit me Ligën e Veriut.
Mbështetësit e 5 Yjeve mbajtën ndërkohë një votim online nëse duhet të mbështesnin koalicionin, që rezultoi me një fitore dërrmuese pro bashkëpunimit me PD. Duke reaguar, kryetari Luigi Di Maio u shpreh krenar për rezultatin dhe ftoi bashkëpunëtorët e tij që të nisin menjëherë nga puna.
Në të njëjtën linjë, kryetari i demokratëve Nikola Xingaretti bëri thirrje që palët të nisin punën për të ndryshuar Italinë. Ndërsa kryetari i ekstremistëve të djathtë, Mateo Salvini u shpreh i bindur se koalicioni i ri qeverisës do ta ketë jetën e shkurtër.
Në krye të axhendës së 5 Yjeve dhe Partisë Demokratike është angazhimi për ta përdorur buxhetin e vitit të ardhshëm për të ndihmuar rritjen e ekonomisë në ngërç, pa vënë në rrezik financat për shpenzimet publike.
Italia ka borxhin e dytë më të lartë në Bashkimin Europian pas Greqisë dhe pakti bën thirrje për më shumë fleksibilitet nga Brukseli, për të vepruar mbi rregullat “e ngurta” fiskale./ABC News Albania 24/7