Qeveria e Islandës tha të enjten se do të rifillojë gjuetinë e balenave me fin pas një ndalese dy mujore, por me udhëzime të reja që synojnë t’i vrasin ato sa më shpejt që të jetë e mundur për të reduktuar vuajtjet.
Islanda rifilloi gjuetinë e balenave me fin, të cilat mund të arrijnë gjatësinë mbi 20 metra, në 2006 pas një pauze 20-vjeçare.
Komisioni Ndërkombëtar i Gjuetisë së Balenave – një organ global që mbikëqyr ruajtjen e balenave – vendosi një moratorium në 1986 pasi disa specie po zhdukeshin. Edhe pse disa prej tyre janë ende të rrezikuara apo edhe në prag të zhdukjes, Islanda, së bashku me Norvegjinë dhe Japoninë, kanë rifilluar gjuetinë komerciale të balenave.
Reykjavík pezulloi gjuetinë komerciale të balenave në qershor pasi një raport nga qeveria thoshte se duhej shumë kohë që balenat të ngordhnin pasi sulmoheshin, ndonjëherë edhe disa orë.
Gjuetia do të rifillojë pasi një grup pune qeveritar konstatoi se ishte i mundur përmirësimi i metodave të gjuetisë.
“Do të nxirret një rregullore që do të përfshijë kërkesa të detajuara dhe më të rrepta për pajisjet dhe metodat e gjuetisë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Ushqimit, Bujqësisë dhe Peshkimit.
Transmetuesi publik i Islandës tha se gjuetarëve të balenave do t’u kërkohet të përfundojnë një kurs në biologjinë e balenave, perceptimin e dhimbjes dhe stresin.
Atyre do t’u sigurohen gjithashtu udhëzime të hollësishme se si të fusin kafshët me fuzhnjë për t’u siguruar që ato të ngordhin shpejt.