Ishte në listën e më të kërkuarve të FBI, forcat afgane vrasin udhëheqësin e lartë të Al-Kaidës

schedule22:51 - 24 Tetor, 2020

schedule 22:51 - 24 Tetor, 2020

Forcat afgane të sigurisë kanë vrarë Abu Muhsin al-Masri, një udhëheqës i lartë i al-Kaidës i cili ishte në listën e Byrosë Federale të Hetimit të Terroristëve më të Kërkuar.

Lajmin e konfirmoi Drejtoria Kombëtare e Sigurisë e Afganistanit (NDS) me anë të një postimi në twitter këtë të shtunë.

Al-Masri është akuzuar në Shtetet e Bashkuara për sigurimin e mbështetjes materiale dhe burimeve për një organizatë të huaj terroriste dhe komplotin për të vrarë shtetasit e SH.B.A.

Al-Masri, që besohet të jetë komandanti i dytë i al-Kaidës, u vra gjatë një operacioni special në provincën Ghazni në Afganistanin lindor, ndërsa raportohet se ai ishte udhëheqësi suprem i organizatës në nënkontinentin Indian.

Muajin e kaluar, Sekretari i Shtetit i Sh.B.A. Mike Pompeo tha se më pak se 200 operativë të al-Kaidës kanë mbetur në Afganistan.

Ky muaj shënon 19 vjet që nga koha kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin për të përmbysur sundimtarët Talibanë, të cilët kishin strehuar militantë të al-Kaedës që sulmuan Shtetet e Bashkuara në 11 Shtator 2001.

Shtetet e Bashkuara kanë tërhequr gradualisht trupat e tyre nga Afganistani pasi kanë arritur një marrëveshje historike me Talibanët në Shkurt.

Sipas kësaj marrëveshje është vendosur që forcat e huaja të largohen nga Afganistani deri në maj 2021 në këmbim të garancive kundër terrorizmit nga Talibanët, të cilët ranë dakord të negociojnë një armëpushim të përhershëm dhe një formulë të ndarjes së pushtetit me qeverinë Afgane.

Javën e kaluar, i dërguari special i SHBA Zalmay Khalilzad tha se Talibanët kishin rënë dakord të “rivendosnin” angazhimet e tyre, për të arritur në një marrëveshje dhe të kryenin tërheqjen e trupave dhe të ulnin numrin e viktimave në vend.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!