Një shqiptar ka përfunduar në prangat e policisë italianë për shkak se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti për akuzën e vjedhjes. Autoritetet ishin vënë pas 43-vjeçarit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, pas një serie grabitjesh të bëra në disa banesa në qytetin e Rapallo-s.
Mënyra e veprimit ishte gjithnjë e njëjtë: Vrima të vogla në dritare duke përdorur një trapan dhe gjithmonë në kërkim të objekteve me vlerë, shpesh edhe kur pronarët e banesës ishin brenda.
Ky fakt e kishte bërë tmerrin e banorëve të zonës, të cilët të shqetësuar dhe të frikësuar lajmëronin policinë sa herë shikonin nëpër lagje makina dyshuese. U desh ndërhyrja edhe e Policisë Shkencore, e cila arriti të zbulojë disa gjurmë të shqiptarit.
Falë tyre u bë e mundur gjetja e emrit dhe fotografisë së 43-vjeçarit. Ai ishte i panjohur në Rapallo, por që prej atij momenti u vu në syrin e agjentëve derisa u kap të premten. Ai u dërgua në burgun Marassi. Ndërkohë në banesën e tij u gjetën prova për të paktën tre grabitje banesash./ABC News Albania 24/7


