Një i ri në gjendje të dehur ka përplasur një grup fëmijësh në një trotuar në rrugët e Sidneit. Për pasojë katër prej tyre humbën jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Tre nga viktimat ishin pjesëtarë të një familje. Shoferi 29-vjeçar u akuzua për vrasje dhe drejtim makine në gjendje të dehur.
Mediat e huaja shkruajnë se viktimat ishin të gjithë nën 12 vjeç. I gjithë vendi është tronditur: “Dje humba tre fëmijët e mi”, tha Daniel Abdallah me lot në një dalje televizive.
“Nuk më mbetet forcë, gjithçka që dua të them është për ata që drejtojnë një makinë të jenë të kujdesshëm. Këta fëmijë të pafajshëm ishin duke ecur dhe duke luajtur. Këtë mëngjes u zgjova pa tre fëmijët e mi”, shtoi ai.
Antony, 13 vjeç dhe dy motrat e tij Angelina, 12 vjeç dhe Sienna Abdallah, 9 vjeç, vdiqën menjëherë.
Bashkë me ta edhe kushërira e tyre e vogël, 11-vjeçarja, Veronique Sakr.
Aksidenti ndodhi rreth orës 20:00 me kohën lokale, përgjatë rrugës Bettington në Oatlands, afër Parramatta.
Drejtuesi i makinës, 29-vjeçari Samuel Davidson, nuk ka pësuar lëndime. Ai iu nënshtrua menjëherë testit të alkoolit i cili rezultoi të ishte 3 herë më i lartë se norma e lejuar.
Vrasësi u arrestua dhe gjykatësi nuk lëshoi lirim me kusht. Ai tani do të akuzohet për katër vrasje.