“Ishim të vetëdijshëm për forcën e kazakëve”, Thaqi: T’i rikuperojmë pikët në ndeshjet e ardhshme

schedule21:56 - 26 Tetor, 2023

schedule 21:56 - 26 Tetor, 2023

“Kazakët” e Astana kanë arritur të surprizojnë “dardanët” e Ballkanit mbrëmjen e kësaj të enjteje, teksa në mitikun e Prishtinës, “Fadil Vokrri” i kanë mundur djemtë e teknikut Ilir Daja, me rezultatin e ngushtë, 1 me 2.

Pas kësaj sfide, një koment të shkurtër e ka bërë edhe mbrojtësi i Ballkanit, Armend Thaqi, i cili deklaroi se të gjithë shpresonin që ata të fitonin, por shtoi se vetë skuadra ishte e vetëdijshme që përballë kishte një kundërshtar shumë të fortë.

“Ndoshta të gjithë kanë menduar se do ta mposhtim shumë lehtë Astanën, me atë rezultat që morëm edhe me Dinamon. Mirëpo ne kemi qenë të vetëdijshëm që Astana edhe pse nuk kishte fituar asnjë ndeshje është një kundërshtar shumë i fortë. Sidomos në fazën defensive ishin shumë në numër edhe ishte shumë e vështirë për t’i thyer.

E nisëm keq ndeshjen, pësuam gol, e rikthyem sërish barazimin, mirëpo me gabimet tona pësuam golin e dytë. Pastaj u munduam deri në fund, patëm rastë për të barazuar ndeshjen, por nuk arritëm t’i shfrytëzojmë, t’i konkretizojmë dhe e humbëm ndeshjen. Është diçka që ndodh në futboll, megjithatë është diçka që po na përsëritet njësoj si vitin e kaluar, por nuk duhet të dorëzohemi. Shpresoj që këto pikë që po i lëmë këtu, t’i rikuperojmë në ndeshjet e ardhshme”,- deklaroi Thaqi. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!