Granada arriti sezonin e kaluar kualifikimin në kompeticionet evropiane për herë të parë në histori. Ekipi spanjoll zhvilloi shtatorin e kaluar në Durrës kundër Teutës sfidën e parë në Europa League, takim që e fitoi 0-4 dhe u kualifikua në raundin e tretë të turneut.
Ekipi 89-vjeçar iberik, nuk është ndalur prej 17 shtatorit, duke ia dalë të mbërrijë deri në çerekfinalet e Europa League. Shorti i vuri përballë Manchester United, që fitoi duelin e parë 0-2 në Spanjë mbrëmjen e kaluar, pavarësisht lojës së mirë që zhvilluan vendasit.
Trajneri i Granadës, Diego Martinez vlerëson ndeshjen e djemve të tij, ndjen keqardhje për rezultatin, por nuk e ka humbur optimizmin dhe beson te përmbysja e madhe në “Old Trafford”. “Jemi krenarë sepse, pavarësisht diferencave astronomike midis dy skuadrave, luajtëm si të barabartë me United.
Rezultati na ndëshkon shumë duke parë atë që prodhuam në fushë. Na dhemb goli i dytë i pësuar, por e kemi të qartë që gabimet të kushtojnë kundër ekipeve si United. Penalltia? I respektojmë gjithmonë vendimet e arbitrave, shpresoj që një penallti të tillë ta akordojnë për ne në ndeshjen e kthimit.
Kualifikimi? Unë besoj plotësisht te përmbysja e madhe. Dolëm nga fusha me kokën lart, kështu që do të shkojmë të luajmë ndeshjen tonë në ‘Old Trafford’. E dimë që do të jetë tepër e vështirë, por do të japim më të mirën tonë“, deklaroi trajneri 40-vjeçar. /abcnews.al