Ish-truproja mohon të ketë punuar për Macron

schedule22:09 - 19 Shtator, 2018

schedule 22:09 - 19 Shtator, 2018

I paraqitur për një interpelancë në Senat për veprimet e dhunshme ndaj disa protestuesve më 1 maj, ish-truproja e Emanuel Macron ka mohuar që të ketë punuar për sigurinë e presidentit dhe ka deklaruar se pistoletën e mbante për arsye personale. Një justifikim ky i konsideruar “banal” nga mediat, me qëllim për të mbrojtur popullaritetin në rënie të ish-shefit të tij.

Ish-truproja e presidentit Macron, i cili u filmua teksa dhunonte disa qytetarë në një protestë, është mbrojtur kur ka dalë për të raportuar në Senatin francez. Alexandre Benalla kishte shërbyer si pjesëtar i stafit të sigurisë së Macron gjatë kohës së fushatës elektorale dhe veprimet e tij gjatë manifestimit kanë cënuar popullaritetin e shefit të pallatit Elize. Sidoqoftë, gjatë seancës që ka zgjatur dy orë ai nuk është pyetur për trazirat e 1 Majit, por për statusin e tij. “Nuk kam qenë kurrë oficer policie dhe as trurojë e Macron”, ka thënë Benalla përpara senatorëve, një deklaratë që është interpretuar si një përpjekje për të mbrojtur ish-shefin e tij.

Më herët efektivi kishte rëfuzuar të bashkëpunonte me senatorët, duke e quajtur kërkesën e tyre ilegjitime dhe kryetarin e tyre një kukull. Por të mërkurën u tërhoq duke deklaruar se e respekton dhomën e lartë të Parlamentit. Në vijim të interpelancës, Benalla ka shtuar se për Macron ka punuar vetëm si organizator i udhëtimeve të tij dhe se pistoletën e mbante për arsye personale. Duke komentuar dëshminë e tij, gazeta franceze “Le Monde” i ka cilësuar banale justifikimet e Benalla./abcnews.al