Sulmuesi i Wolves, Adama Traore, po kalon sezonin e tij më të mirë të karrierës dhe së fundmi është grumbulluar dhe nga kombëtarja spanjolle. Kujtojmë se lojtari me origjinë nga Mali ka qenë pjesë e akademisë së Barcelonës dhe ish-trajneri i tij, Andrea Carrasco, ka treguar se si ka qenë Adama në atë kohë.
“Kur Traore ishte në një duel një kundër një, mbrojtësit as nuk ia ndjenin dot erën atij. Ai krijonte panik sa herë që kishte topin. Atëherë kishte shumë djem 11-vjeçarë që të krijonin përshtypje se ishin tre apo katër vite më të mëdhenj, por jo Adama, i cili ishte shumë i vogël”, kujton trajneri në një intervistë për “The Sun”.
“Edhe pse ishte shumë i vogël në trup, ai binte në sy me lojën e tij. Falë shpejtësisë së tij ne shkonim nga një krah i fushës në krahun tjetër shumë shpejt. Gjithashtu, Adama edhe shënonte shumë. Ndaj tij ndërhynin ashpër, por ai ngrihej sikur të mos i kishte ndodhur gjë.
Futbolli anglez është bërë për të dhe padyshim që ai i ka heshtur të gjithë kritikët e tij. Nuk ka asnjë lojtar si ai që mund të futet një duel një kundër një dhe t’i ‘shkatërrojë’ mbrojtësit në atë mënyrë. Adama është më i miri dhe mund ta vendosë ndeshjen në çdo moment”, përfundon trajneri aktual i Kuvajtit. /abcnews.al

