Ish-shefi i ushtrisë Petr Pavel fiton zgjedhjet presidenciale në Çeki

schedule18:21 - 28 Janar, 2023

schedule 18:21 - 28 Janar, 2023

Ish-shefi i ushtrisë Petr Pavel fitoi zgjedhjet presidenciale në Çeki të shtunën pas një fushate në mbështetje të fortë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian dhe për ndihmën për Ukrainën.

Gjenerali në pension 61-vjeçar që kandidonte për herë të parë për postin, parashikohet të fitojë me më shumë se 58% me pothuajse të gjitha votat e numëruara, duke lënë pas ish-kryeministrin miliarder Andrej Babis, një figurë mbizotëruese por polarizuese në politikën çeke gjatë dekadës së fundit.

Zoti Pavel, që bëri fushatë si i pavarur dhe kishte fitoi mbështetjen e qeverisë së qendrës së djathtë, përcolli një mesazh uniteti dhe qetësie kur foli në Pragë të shtunën, pasi rezultatet treguan se ai kishte fituar.

“Vlerat si e vërteta, dinjiteti, respekti dhe modestia fituan,” u tha zoti Pavel mbështetësve dhe gazetarëve. “Jam i bindur se këto vlera ndahen nga një shumicë dërrmuese”.

Posti i presidentit është kryesisht ceremonial në Çeki, por kreu i shtetit zgjedh kryeministrat dhe krerët e bankave qendrore, ka një zë me peshë në politikën e jashtme dhe mund të nxisë qeverinë të ndjekë politika të caktuara.

Gjenerali në pension Pavel e merr detyrën në mars, duke zëvendësuar presidentin në largim Milos Zeman, një figurë përçarëse gjatë dy mandateve të tij në detyrë gjatë dekadës së fundit, i cili kishte mbështetur zotin Babis.

Zoti Zeman kishte nxitur lidhje më të ngushta me Pekinin si edhe me Moskën deri kur Rusia filloi agresionin në Ukrainë dhe zgjedhja e zotit Pavel do të shënojë një ndryshim të qartë.

68 vjeçari Babis, një manjat biznesi që kryeson partinë më të madhe opozitare në parlament, kishte sulmuar zotin Pavel duke e paraqitur si kandidat të qeverisë. Ai u përpoq të tërhiqte votuesit që ishin të pakënaqur me rritjen e çmimeve duke u zotuar se do të bënte presion ndaj qeverisë që të bënte më shumë për t’i ndihmuar ata.

Zoti Babis dhe kryeministri Petr Fiala e uruan të shtunën zotin Pavel për fitoren./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!