Ish-presidenti serb Tadiç: Marrëveshja e Brukselit duhet riparë

schedule22:21 - 12 Mars, 2019

schedule 22:21 - 12 Mars, 2019

Boris Tadiç, ish-presidenti i Serbisë dhe lideri aktual i Partisë Socialdemokrate, deklaroi se nuk e mbështetur asnjëherë idenë për ndarjen e Kosovës, por ka folur për një ndarje mbi baza etnike. Sipas tij Kina dhe Rusia mbështesin Beogradin për interesat e tyre

Ish-presidenti serb, Boris Tadiç, ka vlerësuar se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, e firmosur më 2013 mes ish-kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç, nuk po zbatohet, ndaj ka rekomanduar revidimin e saj. Mirëpo, kjo vështirë se mund të bëhet për shkak se, sipas tij, është skajshmërish e rrezikshme:

“Unë mendoj se duhet të hyhet në revidimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe kujtoj se ky është një moment shumë, shumë i rëndësishëm, por kjo tani është një situatë skajshmërish e rrezikshme. Për shkak se çdo marrëveshje ndërkombëtare që firmoset, pa pasoja të caktuara për atë që e kërkon, është shumë vështirë të revidohet”, – ka deklaruar Boris Tadiç për Televizionin e Vojvodinës për të cilin thuhet se është nën kontrollin e regjimit të presidentit serb Aleksandër Vuçiç.

Ai ka thënë se edhe në Platformën më të re të Kosovës shikon, dorën e faktorit ndërkombëtar, gjë që nuk mund të thuhet për pozitën ndërkombëtare të palës serbe.

“Pozicioni serb në aspektin ndërkombëtar nuk është më mirë se çka qenë, sepse mbështetësit tanë në temën e Kosovës – Kina dhe Rusia – kanë pozicione të ndryshme: Kina ka qëndrimin e ‘Një Kine’ dhe ajo është mbështetëse e përjetshme e këtyre interesave të Serbisë që Lufton për mbrojtjen e integritetit të saj, ndërsa Rusia ka një qëndrim të dytësuar. Rusia në disa pozicione, sikurse është Krimeja, ka qëndrim që më shumë u konvenon shqiptarëve të cilët dëshiruan shkëputjen e Kosovës nga Serbia, kurse për çështjen e Çeçenisë e të republikave të Kaukazit, ka pozicionin e Serbisë”.

Boris Tadiç që nga viti 2004 në dy mandate ishte President i Serbisë, kurse sot është lider i një partie të vogël socialdemokrate, ka deklaruar se nuk ka qenë kurrë për konflikt të ngrirë, por për një zgjidhje kompromise e të drejtë, duke përfillur edhe interesat e palës shqiptare. Kjo, sipas tij, nënkupton jo pavarësinë e Kosovës, por që Serbia të ruaj sovranitetin mbi të dhe që Kosova të mos zë vend në Kombet e Bashkuara./abcnews.al