Ish ministri për gjyqin e Tahirit: Drejtësia s’provoi lidhjet me drogën, s’ka logjikë dënimi për detyrën

schedule13:37 - 24 Qershor, 2020

schedule 13:37 - 24 Qershor, 2020

Ish- ministri i drejtësisë, Ylli Manjani ka reaguar në lidhje me gjyqin për ish ministrin Saimir Tahiri. Manjani përmes një postimi në rrjetin social Facebook, thekson se nëse nuk provohet pasoja e veprimit apo mosveprimit të tij si ish- ministër i brendshëm atëherë nuk ka më kuptim shpërdorimi i detyrës.

Ndër të tjera ai thekson se dënimi për shpërdorim detyre kur nuk ka pasojë është bolshevizëm ligjor, duke theksuar se nëse drejtësia nuk i provon lidhjet e detyrës së ‘’shpërdoruar’’ me drogën, Tahirit nuk ka logjikë dënimi për detyrën.

Postimi i plotë:

Kam thënë dhe vijoj ta them se dënimi për shpërdorim të detyrës,kur nga shpërdorimi nuk ka pasojë, quhet BOLSHEVIZËM ligjor.

Jam i bindur në këtë logjikë.

Lexojeni Kodin Penal dhe do bindeni që është kështu.

Zyrtari publik kur e shpërdoron detyrën nuk e bën për fiksim as si qëllim në vetvete, por për të arritur një pasojë të paligjshme. Ky është kuptimi ligjor i kësaj vepre penale.

Në fakt drejtësia e vërtetë të provon dhe të gjykon për pasojat që sjell veprimi ose mosveprimi. Shpërdorimi i detyrës në vetvete nuk është as qëllim e as pasojë, por mund të jetë një mjet për të arritur një pasojë kriminale.

Këtij kuptimi duhet ti qëndrojë çdo arsyetim apo interpretim ligjor.

Në rastin Tahiri, meqë ka kuriozitet këto ditë, logjika është njësoj. Ose Ai shpërdoroi detyrën dhe lejoi drogën, ose nëse nuk provohet pasoja s’ka më asnjë kuptim shpërdorimi i detyrës.

Kjo është logjikë, jo pasion. Aq më pak politikë… Po të ishte për politikë mund të hidhja dhe unë një dorë baltë.

Drejtësia qartësisht nuk i provoi lidhjet e detyrës së “shpërdoruar” me drogën. Ndaj nuk ka logjikë të fortë ligjore dënimi për detyrën, sepse pasoja nuk u provua.

I qëndroj kësaj pikëpamje edhe për të përçudnuar të tjerë nga logjika bolshevike e zbatimit të Kodit Penal.

I qëndroj jo për politikë, por për drejtësi!

Drejtësia as integrimi nuk bëhen me show pa lidhje logjike dhe qasje të drejtë.

E përsëris asnjë qëllim apo kuptim politik ka ky mendim që e kam shprehur në mënyrë konstante./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!