Ish ministri japonez i drejtësisë dhe bashkëshortja e tij arrestohen për blerje votash

schedule15:54 - 18 Qershor, 2020

schedule 15:54 - 18 Qershor, 2020

Një tjetër skandal politik dhe gjyqësor rrezikon të ulë dhe më shumë besueshmërinë e kryeministrit japonez Shinzo Abe. Sondazhet tregojnë atë dhe partinë e tij liberal-demokrate në nivele alarmante për sa i përket mbështetjes së elektoratit.

Ish ministri i drejtësisë në Japoni Katsuyuki Kawai  dhe bashkëshortja e tij, Anri Kawai, aktualisht deputete, janë arrestuar pasi kanë blerë vota gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e një viti më parë.

Mediat japoneze raportojnë se Kawai, ish ministri 57 vjecar, ka qenë gjithnjë shumë pranë kryeministrit Abe: ish këshilltar për çështjet e jashtme dhe ish ministër drejtësie. Dhe ai është aktualisht deputet. Bashkëshortja e tij 46 vjecare u zgjodh deputete në korrikun e një viti më parë, në zgjedhjet për të cilat ata akuzohen se kanë blerë vota.

Një ditë më parë partia liberal-demokrate pranoi dorëheqjen në çift nga partia. Por të dy u shprehën se do të vazhdojnë të ushtrojnë mandatin e tyre të deputetit.

Policia mundi t’i arrestojë të dy pasi në Japoni deputetët kanë imunitet vetëm gjatë kohëzgjatjes së seancës plenare e cila përfundoi pikërisht një ditë më parë.

Mediat në vend shkruajnë se të dy ata kanë paguar rreth njëqind persona gjatë fushatës elektorale të gruas në perfekturën e Hiroshimës. Çifti mohon cdo akuzë por sekretari i Anri Kawai është dënuar me 18 muaj burg, pasi ka paguar mbështetësit gjatë fushatës elektorale të gruas, një praktikë që ndalohet me ligj në Japoni. Nëse akuza do të pasohet nga një vendim gjykate për fajësinë e tyre, të dy do humbasin automatikisht mandatin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!