Ish-ministri i Millosheviçit kërkon ta ndezë sërish, për çfarë ka realisht nevojë Ballkani

schedule10:35 - 22 Gusht, 2022

schedule 10:35 - 22 Gusht, 2022

Nga Damir Marusic & Luka Ignac “Atlantic Council

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Një raund tjetër bisedimesh midis Serbisë dhe Kosovës përfundoi pa asnjë rezultat konkret të enjten e javës së kaluar në Bruksel, ndonëse vazhdojnë që të rriten tensionet midis dy vendeve. Rreziqet janë reale dhe të mëdha: Dhuna shpërtheu dy javë më parë në veri të Kosovës, serbët që banojnë atje ngritën barrikada, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vucic paralajmëroi se ishte i afërt një konflikt i armatosur.

Dështimi i dialogut ka pasoja ogurzeza jo vetëm për rajonin, por për qasjen e gjatë të Evropës ndaj paqe-bërjes. Lufta në Ukrainë, ka sjellë një epokë të re në kontinent, dhe i ka inkurajuar udhëheqësit lokalë të testojnë kufijtë e aftësive të tyre. Në këto kushte, lehtësimi i dialogut ndërmjet dy palëve mund të mos jetë më i mjaftueshëm.

Shkaku i tensioneve të fundit ishte lëvizja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për të zbatuar vendimin që serbët që jetojnë në Kosovë të pajisen me kartat e identifikimit të shtetit të Kosovës, dhe që makinat me targa serbe ne veri të zëvendësohen me targa të lëshuara nga Prishtina.

Beogradi vazhdon të pretendojë se Kosova është pjesë e Serbisë. Ndaj pranimin e lëvizjes së  Prishtinës e sheh si njohje de facto të pavarësisë së Kosovës. Nga ana e saj Kosova e sheh këtë masë si reciproke dhe të drejtë, pasi edhe kosovarët që udhëtojnë në Serbi duhet të kenë gjithmonë në dorë dokumente të lëshuara nga Beogradi.

Udhëheqësit perëndimorë, me SHBA-në në krye, e zbutën përkohësisht këtë krizë të fundit,  duke e bindur Kurtin që të shtyjë zbatimin e masave të reciprocitetit. Takimi i së enjtes së shkuar në Bruksel ishte menduar të shënonte përparim drejt një zgjidhjeje, e cila do të çonte në një ripërtëritje të ngërçit muajin e ardhshëm.

Por edhe në këtë takim pati shumë pak qasje pragmatiste dhe shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, bëri në fund të takimit një deklaratë të shkurtër, duke thënë se bisedimet do të vazhdojnë edhe pse takimi i nivelit të lartë nuk arriti të shënojë ndonjë përparim.

Gjatë takimit të së enjtes së kaluar, as Kurti dhe as Vucic nuk sinjalizuan ndonjë qasje fleksibël. I pari këmbënguli që Evropa dhe Perëndimi të ushtrojnë presion ndaj Serbisë. Deri më sot Beogradi  ka dështuar të përafrohet me politikën perëndimore ndaj Rusisë, duke refuzuar të zbatojë plotësisht sanksionet e vendosura ndaj Moskës për shkak të luftës në Ukrainë.

Kurti thotë se masat që propozohen janë të drejta dhe se retorika nacionaliste dhe pro-ruse e shfrenuar në mediat e kapura të Serbisë tregon fytyrën e vërtetë të regjimit të Vucic, me të cilin nuk duhet të ketë një qasje paqtuese e tolerante. Nga ana e tij Vucic kërkoi që homologu i tij kosovar t’i japë një farë autonomie komuniteteve serbe në Kosovë, nëpërmjet krijimit të së ashtuquajturit “Asociacion të Komunave Serbe”.

Për këtë të fundit është rënë dakord në raundet e mëparshme të negociatave nga paraardhësit e Kurtit, por Kurti e përjashtoi zbatimin e saj pasi u bë kryeministër. Ndërkohë kohët e fundit Prishtina ka hequr dorë edhe nga një tjetër prej zotimeve të saj të mëhershme, duke mos e lejuar OSBE-në që të lehtësojë votimin e serbëve të Kosovës në zgjedhjet që mbahen në Serbi.

Vucic pretendon se e gjitha kjo tregon se Kurti po vepron me dashakeqësi. Ai këmbëngul se Serbia është e vendosur për një zgjidhje paqësore të krizës, dhe e quan çështjen e targave dhe dokumenteve të identitetit një provokim të pakuptimtë dhe destabilizues.

Prej 10 vitesh, zyrtarët e BE-së janë ngarkuar të ndërmjetësojnë zgjidhjen e konfliktit dhe të përpiqen të arrijnë “një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të raporteve, e cila të jetë ligjërisht e detyrueshme për palët” përmes dialogut të lehtësuar nga BE.

Brukseli e sheh veten në një rol neutral paqetues në rajon sa herë që shfaqen tensionet, duke punuar si një ndërmjetës i ndershëm dhe duke u ofruar të dy palëve një forum për të zgjidhur dallimet midis tyre. Por ky rol mund të mos jetë më i mjaftueshëm.

Lufta e Rusisë në Ukrainë e ka ndryshuar ndjeshëm dinamikën në Ballkanin Perëndimor. Kremlini po nxit në mënyrë aktive pakënaqësitë anti-perëndimore të votuesve serbë dhe ndjenjat e tyre pro-ruse, në mënyrë që kompromisi me Prishtinën të bëhet jashtëzakonisht i vështirë për Beogradin. Dhe kjo gjë e kufizon hapësirën e Vucic për manovrim.

Koha e tij në kye të Serbisë, është karaterizuar nga ruajtja me sukses e balancave midis Perëndimit dhe fuqive revizioniste anti-perëndimore. Por edhe kjo qasje mund të mos jetë më e qëndrueshme. Kurti i sheh të gjitha këto, ndaj po ecën me shpejtësi përpara, pikërisht për të detyruar Vucic dhe më pas BE-në, që të zgjedhin anë.

Shpesh, sukseset diplomatike vijnë në momentin kur tensionet rriten në nivele të padurueshme. Mjerisht këto nivele, mund të përfshijnë edhe akte dhune të lokalizuara pas datës 1 shtator, kur Kosova do të zbatojë masat e saj reciproke për serbët e veriut të vendit.

Edhe pse një luftë në shkallë të gjerë duket e pamundur të ndodhë në këtë moment – pasi kontingjenti paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, është gati të ndërhyjë me forcë, dhe të shtojë numrin e trupave – trazirat e izoluara dhe gjakderdhja nuk mund të përjashtohen si mundësi.

Kriza, thonë ata, krijon mundësi.

Dhe në mesin e një skenari të tillë, mund të ketë edhe një rrugë për të ecur përpara. Por kjo do të kërkojë nga BE të braktisë pozicionin e saj neutral si lehtësuese, dhe në vend të kësaj të punojë shumë për të gjetur zgjidhje kreative, duke u shfaqur imponuese si ndaj Serbisë po ashtu edhe ndaj Kosovës, në një masë që nuk e ka bërë kurrë më parë.

Ndoshta një pazar i madh mund të përfshijë një lloj autonomie kuptimplotë për pakicat serbe në Kosovë, e dhënë në këmbim të njohjes së plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia të pavarësisë së Kosovës si shtet. Asnjë nga këto nuk është ide e re. Por aktualisht jemi në kohë të reja, të cilat kërkojnë një energji të re në ndjekjen e qeverisjes ambicioze.

Natyrisht, në fund si Kurti po ashtu edhe Vucic do të detyrohen të bëjnë lëshime të dhimbshme. Por koha për dialog vetëm për hir të dialogut ka mbaruar. Perëndimi duhet të përpiqet ta thyejë ngërçin. Të bërit diçka më pak se kaq, mund të ketë pasoja katastrofike.

Shënim:Damir Marusic, anëtar në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik. Luka Ignac, ndihmës i programeve në këtë qendër.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!