Ish-ministri i Jashtëm izraelit: Vrasjet e tanishme, fundi i iluzioneve të Izraelit

schedule08:59 - 14 Maj, 2021

schedule 08:59 - 14 Maj, 2021

Nga Shlomo Ben-Ami, Project Syndicate

Shpërthimi i papritur i luftës jashtë dhe brenda kufijve të Izraelit, ka tronditur një komb të vetëkënaqur. Gjatë 12 viteve të fundit kur kryeministër ka qenë Binyamin Netanyahu, problemi palestinez u harrua.

Marrëveshjet Abrahamike të nënshkruara kohët e fundit dhe që vendosën marrëdhënie diplomatike me 4 shtete arabe, dukej se do e dobësonin më tej kauzën palestineze. Por tani  ajo është rishfaqur sërish në formë hakmarrje.

Luftërat mund të shkaktohen edhe nga një incident i izoluar, por shkaku i tyre është gjithmonë më i thellë sesa duket në pamje të parë. Në këtë rast, shkaku bë dëbimi i palestinezëve dhe favorizimi i nacionalistëve izraelitë në lagjen Sheikh Jarrah të Jeruzalemit Lindor, i cili preku të gjitha nervat e ndjeshme të konfliktit Izraelo-Palestinez.

Pushtimi që Izraeli i bëri Jeruzalemit Lindor, kontrolli i tij poshtërues dhe depërtimi në xhaminë Al-Aksa, kujtesa gjithnjë e pranishme e Nakba-s së vitit 1948 (zhvendosja e 700.000 palestinezëve nga shtëpitë e tyre kur u themelua Izraeli), dhe ankesat e pakicës arabe në Izrael, po ushqejnë përplasjet aktuale.

Mund të jetë e vërtetë që prona e kontestuar në Sheik Jarrah, i përkiste një familjeje hebreje para vitit 1948. Por palestinezët e panë incidentin si pjesë të rrugëtimit të paepur të Izraelit për të “Judaizuar” Jeruzalemin, dhe si një padrejtësi të jashtëzakonshme, pasi shteti i Izraelit është ndërtuar pjesërisht në pronat e braktisura të refugjatëve palestinezë.

Ndërsa hebrenjtë kanë të drejtë të rimarrin pronën që kishin në pronësi para themelimit të Izraelit, palestinezët mund të mos e kenë këtë të drejtë. Ata që përballen me dëbimin në Sheik Jarrah, nuk mund të rimarrin shtëpitë e tyre në Xhafa dhe Haifa që kishin dikur.

Përballë kësaj, përshkallëzimi i fundit i dhunës po ndjek modelin e të gjitha luftërave ndëretnike. Myslimanët që kremtonin Ramazanin dhe hidhnin parulla nacionaliste, u përleshën me grupet e krahut të djathtë të Izraelit që brohorisnin “Vdekje Arabeve!”. Izraelitët marshuan me arrogancë me flamurin e tyre kombëtar në Ditën e Jeruzalemit, për të përkujtuar pushtimin nga Izraeli në vitin 1967 të Jeruzalemit Lindor dhe Tempullit të Malit, vendi i Tempullit të Dytë biblik dhe i xhamisë Al-Aksa, ndërtuar në vitin 705.

Në këto kushte, shpërthyen përleshjet brenda dhe rreth xhamisë Al-Aksa, me besimtarët që qëllonin me gurë në drejtim të policisë izraelite, e cila u kundërpërgjigj duke qëlluar me plumba gome, duke plagosur qindra palestinezë.

Por protestuesit e rinj arabë mund të pretendonin për fitore, pasi ata imponuan shtyrjen e një vendimi të Gjykatës së Lartë Izraelite mbi dëbimet në lagjen Sheikh Jarrah. Gjithashtu ata e detyruan policinë që të ndryshonte rrugën e marshimit të Ditës së Jeruzalemit larg Lagjes Myslimane në Qytetin e Vjetër.

Dhuna u përhap edhe në Izraelin e para kufijve të vitit 1967, ku grupet islamike i nxitën të hidheshin në revoltë arabët e rinj izraelitë. Qytetet e përziera hebraiko-arabe, që supozohej të ishin shembuj të bashkëjetesës, si Akri, Ramla, Xhafa adhe Lod, përjetuan një valë të madhe dhune dhe vandalizmi.

Lod praktikisht u vu nën kontrollin e grupeve me të rinj arabë. Kjo është një masakër, thanë banorët hebrenj. Një grua e vjetër hebreje foli për ngjashmëri me “Kristallnacht” në Gjermani. Kryetari i bashkisë së Lod bëri të njëjtin krahasim.

Pra Jeruzalemi është shfaqur sërish si shtëpia e konfliktit. Ai i ofroi Hamasit një mundësi të artë për të konfirmuar dominimin mbi bashkëpunëtorët e Izraelit në Autoritetin Palestinez të Bregut Perëndimor, dhe për të neutralizuar udhëheqjen e dobët të presidentit të tij Mahmoud Abbas.

Nën presionin e Izraelit, Abbas sapo kishte anuluar zgjedhjet parlamentare nga frika se Hamas, që e qeveris Gazën që nga viti 2006, do të fitonte dhe do të shtrinte kontrollin e tij edhe në Bregun Perëndimor. Abbas e cilësoi këtë vendim edhe si një protestë kundër refuzimit të Izraelit për t’i lejuar palestinezët e Jeruzalemit Lindor që të marrin pjesë në zgjedhje.

Por e vërteta është se prania e Autoritetit Palestinez në Jeruzalemin Lindor ishte zhdukur praktikisht, dhe boshllëku ishte mbushur nga një brez i ri palestinezësh kryesisht laik, të cilët e shndërruan Malin e Tempullit (Haram Al-Sharif për myslimanët) në simbolin e rezistencës së tyre ndaj pushtimit izraelit.

Në shpërthimin aktual të dhunës, Hamas lëvizi të gjithë gurët për të pasur prioritet në lëvizjen kombëtare palestineze. Ai e pozicionoi veten si mbrojtës të Jeruzalemit dhe xhamisë Al-Aksa, si simbolin e luftës kombëtare dhe fetare të palestinezëve kundër pushtuesit izraelito-hebre, dhe gjithashtu edhe si zëri i pakicës arabe në Izrael.

Izraelitët dhe qeveria e tyre e vetëkënaqur u kapën të papërgatitur. Hamas kreu një sulm  të madh me raketa ndaj qyteteve izraelite, duke detyruar gjysmën e popullsisë së vendit të strehohej në bodrumet e pallateve. Ata nisën të pyesnin veten se si fronti i tyre i prekshëm në shtëpi mund ta përballonte një luftë me Hezbollahun, milicinë e mbështetur nga Irani që ndodhej përtej kufirit në Libanin Jugor.

Hezbollahu zotëron një arsenal prej 150.000 raketash, që janë shumë herë më vdekjeprurëse se sa ato të Hamasit. Por për të treguar forcën e tij, Hamasi ishte i gatshëm të paguante një kosto të lartë. Sulmet ajrore ndëshkuese të Izraelit mbi Gaza kanë qenë shkatërruese, duke pasur si objektiv komandantët ushtarakë të Hamasit, me një efikasitet goxha brutal.

Por Hamasi e di se në luftërat asimetrike të epokës aktuale, një milici e fshehur mes 2 milionë civilëve në një nga zonat më të populluara në botë, ka një imunitet praktik nga disfata. Gjithashtu ai e di se reagimi i luftës në të gjithë rajonin, do të detyrojë fqinjët si Egjipti dhe mbrojtësin i Hamasit, Katarin, që të ndërmjetësojnë një armëpushim.

Nga gërmadhat e Gazës, Hamasi do të pretendojë fitoren, jo domosdoshmërisht në fushën e betejës, por në mendjet e njerëzve të tij. Në atë pikë, ai do të ketë arritur objektivat e tij kryesorë:një Autoritet Palestinez plotësisht të diskredituar, dhe një prestigj të rritur si mbrojtësi përfundimtar i faltoreve të shenjta të Islamit në Jeruzalem.

Paradoksalisht, Netanyahu nuk ka interes që ta shkatërrojë Hamasin. Përkundrazi, ai ka arritur një marrëveshje të pashkruar me të kundër Autoritetit Palestinez të Abasit, ndaj të cilit qeveritë e tij kanë bërë vazhdimisht gjithçka që munden për ta dobësuar dhe poshtëruar.

Një shtet islamik i Hamasit në Gaza, i jep Netanyahut pretekstin ideal për të refuzuar negociatat e paqes dhe zgjidhjen me 2 shtete. Madje,Netanyahu e lejoi Katarin që ta mbante Gazan funksionale,përmes pagimit të pagave për zyrtarët e Hamasit.

Sigurisht, as Izraeli nuk mund të pretendojë fitoren. Bashkëjetesa e brishtë midis hebrenjve dhe arabëve brenda kufijve të tij është tronditur. Konsensusi dominues midis izraelitëve se nacionalizmi palestinez ishte mposhtur – ndaj nuk ishte më e nevojshme një zgjidhje politike e konfliktit -ka rezultuar të ishte një naivitet i madh. Dhe ndonëse dhuna po përshkallëzohet, për të dyja palët është bërë e qartë se ka mbaruar epoka e luftërave dhe fitoreve të lavdishme. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

*Shënim: Shlomo Ben-Ami, ish-ministër i jashtëm i Izraelit, aktualisht zv/president i Qendrës Ndërkombëtare të Paqes në Toledo. Ai është autori i librit“Shenjat e luftës, plagët e paqes: Tragjedia izraelito-arabe.”
** Titulli është i redaksisb, titulli i autorit: Fundi i iluzioneve të Izraelit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!