Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën për ish-ministrin e brendshëm Saimit Tahiri dhe tre ish-oficerë e policisë së Vlorës. Tahiri i kërkoi gjykatës që të mos e zvarrisë procesin, por nëse mundet ta zhvillojë atë çdo ditë. Ish-ministri hodhi akuza mbi prokurorinë duke e cilësuar procesin si politik.
Pas daljes nga gjykata ish-ministri iu përgjigj interesit të mediave se cila është arsyeja që ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar ne seancën paraprake, duke mos pranuar fajësinë.
“E mendova dhe e mendoj që nuk ka nevojë të zgjatet asnjë seancë më shumë, apo seancë pas seancash, nuk ka nevojë të zvarritet ky gjyq. Ka shumë të cilët janë të interesuar që kjo të vazhdojë kështu, situata të zvarritet, unë të zvarritem në seanca gjyqësore dhe nuk janë të interesuar për drejtësi. Më duket se jam i vetmi që jam i interesuar për drejtësi dhe do të vazhdoj.”
Ish-ministri kërkon që gjyqi i tij të jetë i pandërprerë, ndërsa e konsideron procesin si të ndikuar politikisht, pa pranuar ta specifikojë
“Unë i kërkova gjykatës mundësisht t’i bëjë seancat ditë për ditë, sepse nuk besoj se ka më kohë për të humbur nga çkemi humbur deri më sot. U bënë dy vjet që zvarritet kjo histori, unë nuk e kuptoj përse, edhe pse kam dyshimet e mia për cilat arsye ka interesa që kjo histori e imja të zvarritet në një proces politik, komplet politik”.
Tashmë i pandehur nga Prokuroria e Krimeve të rënda, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor ndaj tij, Saimir Tahiri nënvizon se ka qenë ministri më i mirë i brendshëm në 3 dekadat e fundit.
“Jam ministri më jetëgjatë, jam dhe më i miri madje në historinë e pluralizmit”.
Ish-ministri i Brendshëm sëbashku më 3 ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës akuzohen se janë të përfshirë dhe kanë favorizuar grupit kriminal të Habilajve për të trafikuar lëndë narkotike.
Saimir Tahiri i ka mohuar akuzat e Prokurorisë duke thënë se nuk kanë asnjë provë kundër tij. Për Tahirin hetoi edhe Prokuroria e Katanias, por hetimi u mbyll pasi ndaj tij nuk u gjetën prova që e implikonin në trafikun e drogës./ABC News Albania 24/7